Vizitorë të nderuar, ju njoftojmë se prej datës 31 Qershor 2013 jemi online me dizajn të ri të ueb faqes,
të cilin aktualisht mund ta vizitoni duke klikuar KËTU

Salih Kabashi

  foto

Pamflet : Hashim, nuk je në Langstrasse!

(Salih Kabashi) 13 Janar 2012 09:04

Nëse kjo më nuk mund të pritet nga Sali Berisha, i cili ka shkalluar keqas, Hashim Thaçi megjithatë duhet një orë e më parë jo vetëm ta pasurojë, po mbi të gjitha ta pastrojë fjalorin e tij nga vulgarizmat saliberishiste. Ai nuk është më një azilant djerraditës në Langstrasse të Zürichut apo kryeministër apo deputet gojëndyrë i Parlamentit Shqiptar në Tiranë.

Ka shumë vjet qyshse Hashim Thaçi është shfaqur armiqësor ndaj Lëvizjes Vetëvendosje. Ai ka nënçmuar dhe ka fyer edhe atë edhe (sidomos) liderin e saj. Një animozitet i çuditshëm i tij i ka fillet qysh në lindjen e VV. Armiqësinë nuk e ka fshehur as në kohën kur partia e tij, PDK, ishte në opozitë e kur opozitë bënte edhe VV. Në një shkrim timin i cili para 6-7 vitesh lavdëronte opozitarizmin e PDK-së dhe liderizmin e Hashim Thaçit, në kryerreshtin e fundit i kisha bërë me dije kryeministrit të tashëm të Republikës që të shihte me realizëm fuqinë politike në ngritje të Albin Kurtit e të djemve e të vajzave të Lëvizjes Vetëvendosje. Hashim Thaçi sikur nuk don të shohë se në Kosovë dhe në vetë Parlamentin e saj, ekziston një grup parlamentar i atyre që ai ç’prejse ekzistojnë nuk dëshiron t’ua dëgjojë ankesat as pyetjet dhe as t’ua kuptojë protestat.

Pse kjo sjellje e Hashim Thaçit dhe pse kjo sjellje e PDK-së ndaj një realiteti politik dhe ndaj një force politike në ekspanzion dhe intensifikim të fuqishëm e të përditshëm? Nuk pyes pse gazetarë të Kosovës, shumica e tyre, bëjnë gara ndërmjet veti në gjetje cilësorësh sa më negative e sa më rrënues e fyes ndaj Albin Kurtit. Sepse Kosova nuk ka gazetarë. Ka shumë, pafalshëm shumë hyzmeçarë partish në media.

Fillimisht Levizja Vetëvendosje nga qeveritë e Kosovës shihej me përqeshje deri në përbuzje. Albin Kurtin absurdshëm e mbanin ose në burg të vërtetë ose në burg shtëpiak. Hashim Thaçi që i prin një partie me emër demokratike, në rastin e VV dhe të z. Kurti ka treguar në vazhdimësi mungesë të madhe të demokracisë dhe dozë të palejueshme armiqësie.

Nuk është harruar kur para shumë vitesh një tubim i PDK-së me publikun në Mitrovicë, ku ishin Hashim Thaçi dhe kryepolici i tashëm i Kosovës Bajram Rexhepi, përfundoi me rrahjen e djemve të VV nga truprojat pdkiste, vetëm pse ata me praninë e me pyetjet e tyre prishën skenarin idilik e dashuror të militantëve partiakë ndaj liderit të tyre të dashur. Media e Kosovës e kaloi pothuajse heshtur atë brutalitet të palejushëm dhe të dënueshëm të dajakxhinjve të Hashim Thaçit. As zyrat e huaja në Kosovë nuk e panë të nevojshme të dënonin dhunën.

Hashim Thaçi shpeshherë ka bërë përpjekje fatkëqija e krejtësisht të dështuara që të bëjë humor në llogari të Albin Kurtit dhe aksioneve të Lëvizjes së prirë nga ai. Humorin nuk mund ta bëjnë njerëzit e stresuar, qysh shfaqet një kohë të gjatë, pothuajse rregullisht kryeministri i tashëm. Në këtë pikë ai duket se ka gjetë si model antitalentin në humorbërje - Sali Berishën. Në fillimet e aktivizimit të Hashim Thaçit në politikë një ndër kundërshtarët e tij më të mëdhenj ishte pikërisht Berisha dhe media e tij në Tiranë e në Prishtinë. Asokohe janë bërë shumë përpjekje dhe në këto përpjekje për të paralizuar sadopak uraganin e shpifjeve e të sharjeve që vinin nga LDK në Prishtinë dhe PD-ja në Tiranë për të njollosur UÇK-në, PDK-në dhe në këtë kuadër edhe Hashim Thaçin, duke menduar se po mbroja çlirimtarët isha rreshtuar edhe vetë.Principialisht kam qenë në anën e çlirimtarëve. Pa qenë as atëherë, siç nuk jam as sot pjesë as e PDK-së dhe as e ndonjë partie tjetër. Mbështeja ime për luftëtarët e UÇK-së që në masë të madhe iu bashkuan partisë së dalë nga lufta, jam i bindur se ishte thellësisht parimore dhe e drejtë. Nga pozita pokështu parimore demokratike dhe atdhetare kam mbrojtur dhe popullarizuar në fillimet e tyre edhe Ibrahim Rugovën, edhe Lidhjen Demokratike të udhëhequr nga ai. Apo fillimisht edhe Sali Berishën dhe Partinë Demokratike. Kështu mendoj ta vazhdoj deri në fund prononcimin tim për çështjet, temat e dilemat që kanë të bëjnë me Kosovën, Shqipërinë dhe të ardhmet e tyre. Përkrahja ime e dikurshme dhe kritikat e mia të mëvonshme për Sali Berishën e Ibrahim Rugovën kanë burimet në qëndrimet e në koncepcionin tim tim të demokracisë dhe të debatit në demokraci. Nëqoftëse kam kritikuar me argumente veprimet e mosveprimet e dy liderëve të parë të demokracisë (Rugovës dhe Berishës), ja që tash erdhi koha apo më mirë Hashim Thaçi e solli punën që unë nga një mbështetës i tij, të kthehem në një mospajtues kategorik të diskursit e të praktikave të tij katastrofalisht jodemokratike, dëshmitarë të të cilave jemi të gjithë për një kohë të gjatë.

Do të kisha dëshiruar që të kisha mbetur deri në fund mbështetës i Rugovës, Berishës dhe Thaçit. Ishte e pamundur dje, e pamundur me gjasë po më bëhet edhe sot. Për degjenerimin moral e politik të burrështetasve ne nuk mund të kemi shumë faj. Apo mbase do faj të vogël edhe mund ta kemi pasur sepse edhe ne na mbërtheu euforia e liri-demokracisë. E liri-demokracisë i bëri vaki edhe Sali Berisha me Hashim Thaçin. Koha kur ky i fundit, sikurse i pari tashmë një kohë të gjatë, do të kalojë në delirin e sharjeve me nënë e babë, nuk duket e largët. Por, atëherë edhe mund të vijë koha fundit të tij politikan i nderuar.

Nëse kjo më nuk mund të pritet nga Sali Berisha, i cili ka shkalluar keqas, Hashim Thaçi megjithatë duhet një orë e më parë jo vetëm ta pasurojë, po mbi të gjitha ta pastrojë fjalorin e tij nga vulgarizmat saliberishiste. Ai duhet ta kuptojë se nuk është më një azilant djerraditës në Langstrasse të Zürichut apo kryeministër ose deputet gojëndyrë i Parlamentit Shqiptar në Tiranë.

PS

Nëse nesër, më 14 janar, mos e thuaj Zot, do të ndodh 21 janari i vjetëm i Tiranës, përgjegjësia do të bjerë edhe mbi Hashim Thaçin edhe mbi Sali Berishën, pasiqë gojët e shthurura të tyre nuk mund të prodhojnë gjë tjetër pos dhunë e rrëmujë, në kohën kur Lëvizja Vetëvendosje ka paralajmëruar aksionet e saj për stopimin e hyrjeve e ndërhyrjeve të Serbisë në Kosovë. Fjalët që kanë hedhur në opinion dy qeveritë shqiptare lidhur me lëvizjen e 14 janarit janë fjalë që nuk i han as qeni. Janë difuzione të rrezikshme të dy kryeministrave që do të duhej të kishin sjellje krejtësisht tjera.

 


Më të komentuarat