Vizitorë të nderuar, ju njoftojmë se prej datës 31 Qershor 2013 jemi online me dizajn të ri të ueb faqes,
të cilin aktualisht mund ta vizitoni duke klikuar KËTU

Salih Kabashi

  foto

Nuk harrohet Bajrush Doda

Prishtinë, (Salih Kabashi) 03 Janar 2012 20:00

Kënga e mëposhtme i kushtohet, Bajrush Dodës, këngëtarit-rapsod më të madh që ka pasë ndonjëherë Veriu i Shqipërisë dhe Kosova. Kjo këngë u lihet në dispozicion para së gjithash këngëtarëve të brezit më të ri në Dukagjin e më gjerë, ku ka dekada që si frymë funksionon shkolla e këndimit Bajrush Doda. /ne foto Bajrush Doda/

Ky këngëtar i rrallë ka qenë si një i dërguar për të ngritur ndjenjat e krenarisë kombëtare. Kishte një vokal të mrekullueshëm e të paarritshëm. Kishte një disciplinë ekstreme në përcjellje e në interpretim. Është këngëtari që do të mbahet mend në dekadat që po vijnë. Ishte bashkëpunues me rapsodë të krahinave të tjera, si Riza Bllaca, Salih e Feriz Krasniqi, Qamili i Vogël, etj.. Disa dhjetëra këngë i ka inçizuar në shtëpinë diskografike kroate “Jugoton” dhe në iRTP-në e dikurshme. Mbi 500 interpretimet e tij, këngë dukagjinase dhe të tjera nga të gjitha viset shqiptare gjenden shumëfish të regjistruara nga dashamirët e këngës së tij që vërtetë i kishte të shumtë dhe besnikë.

Shumë nga këngët e Bajrush Dodës kanë qenë dhe kanë mbetur hite të vërteta popullore. Le të kujtohen këngët lirike “Moj e mira kablushëkuqe”, “Prej një shpati t’i lëshova sytë”, “Halit Gashi një djalë i ri”, “Zhuj Selmani” e disa të tjera. Shumë interpretime të tij kanë vlera antologjike.

I mplakur dhe i lodhur nga sëmundja, viteve të fundit ai prapëseprap funksionoi si këngëtar dhe mësues këngëtarësh të rinj. Gjatë tre-katër viteve të fundit ai ka sjellë në Kosovë këngëtarë nga treva të ndryshme të Kosovës e të Shqipërisë duke bërë regjistrime këngësh të mrekullueshme.

Me ta marrë vesh lajmin e dhimbshëm për vdekjen e tij, ndjenjat e mia të respektit për Bajrush Dodën i shfaqa në tekstin e mëposhtëm poetik.

Gjashtëdhjetë vjet me këngë në gojë!

Gjashtëdhjetë vjet me sharki në dorë!

Gjashtëdhjetë vjet në kulla e në oda!

Kështu t’shkoi jeta, o, Bajrush Doda!

Kangatarëve djem të ri,

Po ua lë këtë këngë për ty.

Ta mbajë mend rinia mbarë

Këtë kangëtar përmi kangëtarë

Do ta mbaj mend historia

Rapsodin Bajrush Shqipnia!

Nga Salih KABASHI

Kah ka dridh tela sharkia

Kahdo tinguj lshoi çiftelia

Ç’prejse kanga u këndua ndër oda

S’ka këndu’ kush si Bajrush Doda.

Gati-gati gjashtëdhjet vjet

N’këngë shqiptare ishte mbret

Bac Bajrushi n’tela sharkie

ka shpalosë fletë historie.

Ai bylbyl ai këngatar

Shumë krenar e shumë shqiptar

Me rrënjë t’forta shqiptarie

T’ kull’s shqiptare, fole trimërie.

Në odë burrash këmbët mbërthy

Përmbi gjuj një çifteli

S’pushoi këngën deri sot

Duke i la shpeshherë me lot.

Sa herë loti i synit të tij

Lagu telat në sharki!

Bajrush Doda kur këndoi

Këngën thellë e përjetoi.

E pat këngën plot Shqipni

E pat këngën plot Dashni

Kënga e tij për gjashtëdhjet vjet

Dha kushtrim e dha gajret.

Bini, tha, bini dushmanit

Veç për hatër të këtij vatanit

Në Prizren n’at t’bukrin vend

I kujtoi trimat në Kuvend.

Ai i kndoi Ali Pashë Trimit

Jakup Ferrit e Dukagjinit

Ngritur n’këmbë për nder t’ vatanit

Me i ndalë turrin Mark Milanit.

Kënga e tij ishte këngë burri

Ku nderohej Bajram Curri

Azem Bejta me trimni

Monumente t’këngëve të tij.

Kush ka këndu si Bajrush Doda

Nëpër dasma, nëpër oda

Duke ngritur zemra peshë

Me atë zë t’bylbylit n’degë.

Herë bylbyl e herë stuhi

Ka ushtu ai zë i tij

N’soba burrash a nëpër oda:

Ou, t’këndoftë zemra Bajrush Doda.

Bajrush Dodës i erdh deka

Qanë për të Peja e Reka

Qan Kosova, qan Shqipnia

Varur n’gozhdë po kjanë sharkia.

Kanë derdhë lot kanë pasë merzi

Kangatartë të moçëm e të rij

Miq të tij e të këngës tij

Nuk besojnë se shkove ti.

Bajrush Doda nuk ka vdekë

Kënga e tij do t’rrnojë përjetë

Gjithandej tejshkon jehona

O t’lumtë goja o Bajrush Doda.

Ky rapsod, këngëtar lirie

Burrë i lehtë me i folë një fëmije

Burrë i ëmbël në ndejë e n’kndim

Burrë i mënçëm e me guxim.

Kënga e tij kushtrim lirie

Republike Pavarësie.

Për bashkim nën një Flamur

Këndoj Bajrushi pa u ndalë kurrë.

O Bajrush, dy pika lot

Unë për ty i derdha sot

Do t’kujtojnë brezat ndër oda

Burrë ndër burra Bajrush Doda.

Kangatarë gjithmonë do t’ketë

Shoqi yt nuk lind n’kët jetë.

N’mendjet tona e n’zemrat tona:

Kurrë s’harrohet Bajrush Doda.

 


Më të komentuarat