Vizitorë të nderuar, ju njoftojmë se prej datës 31 Qershor 2013 jemi online me dizajn të ri të ueb faqes,
të cilin aktualisht mund ta vizitoni duke klikuar KËTU

Behxhet Sh. Shala

  foto

Një skaner për horra, patriotë, servilë, konformistë, të pamoralshëm , trutharë dhe zuzarë !

(Behxhet Sh.Shala ) 21 Qershor 2013 15:59

Si nisi “sherri” : Adem Demaçi si e quajnë “patriotët” , Baca Adem si e quajnë idealistët apo Adem Dema si ka filluar ta quaj veten e tij ( për shkak të analfabetizmit intelektual të shqiptarëve që nuk dinin si t’i shkruanin mbiemrin ) është një belaxhi që shumë lehtë të futë llugave dhe bungajave. Mirëpo ai nuk rri në breg duke kërkuar sakrificë nga të tjerët por i pari i hynë rreziqeve duke kërkuar shokë që do ta përcjellin. Kështu e nisi edhe aktivitetin politik dhe kombëtar duke hyrë vet në zjarrë e pastaj të tjerët i shkuan pas. Në fakt Baca Adem vetëm e vazhdoi rrugën e Hasan Prishtinës , politikanit shembull për të gjithë shqiptarët kudo që jetojnë.

Dikush, pasi flaka vetëm pak ia dogji lëkurën i ra mrizit duke u marrë me probleme personale ndërsa të tjerët i hynë flakës duke u bërë shkrumb e hi sikur Komandanti Legjendar i UÇK –së , i Madhi , i Papërsëritshmi dhe i Përjetshmi Adem Jashari ! Adem Demaçi ishte dhe mbeti truri i mendimit dhe veprimit politik i shqiptarëve pas luftës së dytë botërore në luftë për liri dhe pavarësi ndërsa Adem Jashari ishte truri i organizimit dhe veprimit ushtarak i shqiptarëve për liri dhe pavarësi pas luftës së dytë botërore. Ndërsa Hasan Prishtina ishte dhe mbeti i vetmi politikan shqiptar i cili premtimin apo kërcënimin e thënë dhe dhënë publikisht para parlamentit turk se nëse shqiptarët nuk do t’i fitojnë të drejtat e tyre ai do të vihet i armatosur në krye të kryengritjes shqiptare. Dhe e bëri këtë ! Prandaj ishte dhe mbeti mishërim i një politikani inteligjent, largpamës dhe një strategu ushtarak shqiptar!

Me një fjalë Hasan Prishtina ishte bashkëdyzimi politik dhe ushtarak i dy ademëve, Adem Demaçit dhe Adem Jasharit! Pikërisht Baca Adem më tha ta lexojë një roman të shkruar nga Arben Kastrati me një titull të gjatë , titull interesant për ata që harrojnë e sidomos për ne shqiptarët që historikisht harrojmë prandaj vazhdimisht mbesim si tituj. Apo shndërrohemi në tituj që të tjerët i shkruajnë! Pastaj, më tha se edhe kur të lexohet nuk lexohet si romanet, librat dhe tekstet normale por leximi bëhet në një mënyrë të veçantë. Gjithashtu e theksoi se nuk ka mjek, shkrimtar, aparat fotografik dhe rentgen i cili në mënyrë më të saktë, me besnike dhe më origjinale i paraqet shqiptarët si në pamjen e tyre të jashtme ashtu edhe në përmbajtjen e tyre.

Me një fjalë edhe skeneri më i sofistikuar nuk do të bënte incizimin dhe fotografimin e shqiptarëve sikur që e bëri Beni në romanin e tij! Ky ishte vlerësimi i Bacës Adem i cili e kishte lexuar romanin më herët .

Roman i veçantë me përmbajtje të veçantë nga një autor i veçantë : Vërtetë romani i Arben Kastratit : “ E di se kam pasur një titull më të mirë ( por e kam harruar ) sërish “ është një simfoni e përkryer publicistike për veshin e një lexuesi të kujdesshëm, të emancipuar dhe të pasionuar e që për fat të keq përbëjnë pakicë për dallim nga shumica e cila është adhuruese e një tallavaje letrare apo më mirë të them e një kakofonie moralesh dhe vlerave të dyshimta, si në aspektin njerëzor ashtu edhe në ate kombëtar!

Arbeni romanin e fillon me ngjarjet e vitit 1999 kur Kosova nga një varrezë masive kolektive bënte përpjekje feniksiane të ringjallet duke u mbushur me njerëz që ishin përzënë nga okupatori serb për ta filluar jetën nga zeroja. Në kohën e paradokseve dikush e fillon jetën me zero ndërsa disa të tjerë me shumë zero që në fillim mund të kenë numrat 1,2,3 etj. Me një zero ishin pjesa dërmuese e popullit ndërsa me 1,2,3 000000 ishte një numër i vogël i trashigimtarëve apo të përfituesve të Fondit të 3% , Vendlindja Thërret apo patriotët e Bllacës që kishin thasë të mbushur me dinarë jugosllav Këta korba të paqes dhe pengues të luftës u përshtatën shumë mirë me UNMIK-un dhe strukturat tjera informative dhe dezinformative ndërkombëtare duke kontribuar në statusin kolonial të Kosovës! Me vlera të dyshimta njerëzore , kombëtarisht pis, moralisht të pistë bënin përpjekje që përmes kontrabandimit të ricikloheshin si atdhetarë në kohën kur nuk linin të zezë pa bërë dhe fati i Kosovës u interesonte aq sa fati i Afganistanit. Disave as aq!

Arben Kastrati është shumë i moralshëm dhe i sinqeretë sepse duke mos e kursyer veten nga të zezat e përgjithshme në mënyrë fantastike e portretizon shqiptarin e pasluftës në tërë mjerimin dhe shkëlqimin e tyre! Për dallim nga antivlerat e kontrabanduara dhe të pranuara si vlera të cilët përkundër mandatit dhe detyrimit të jenë në ballë të rezistencës , luftës së armatosur dhe popullit bënë çmos ta pengojnë luftën me të gjitha mjetet e lejuara dhe të palejuara. Deri në dorëzim dhe kërkim mëshire për të shpëtuar veten dhe të afërmit e tij nga ai që ishte përgjegjësi kryesor për vrasjen, masakrimin, dhunimet e shumta dhe dh dëbimit të së paku 800.000 mijë shqiptarëve. Duke kërkuar dhe fituar një aeroplan për të cilin nuk ka paguar biletë me para veç një biletë turpi dhe nënshtrimi . Për disa kjo edhe sot paraqet vlerë. Beni së paku nuk kishte fare dilema morale duke e portretizuar veten si të padenjë dhe frikacak sepse :” kur Atdheu kishte nevojë për të qoftë në Kosovë, Luginë të Preshevës apo Maqedoni , përkundësr dëshirës dhe vendosmërisë për të kontribuar disi në çastet vendimtare nuk ishte aty . Thjesht mungonte. Mirëpo ndërgjegja nuk e linte të qetë.

Beni nuk sillej e pështillej si gjel deti pas përfundimit të luftës siç bënin dezertorët e luftës dhe hajdutët e paqes por ndjehej si një shqiponjë pa flatra, pa sqep dhe pa kthetra ! Ai nuk kishte mëdyshje për vlerat e vërteta prandaj dëshironte të bënte një fotografi me Adem Jasharin dhe Adem Demaçin sepse siç thotë ai :” jetës nuk i dihet sepse mund të vdes para tyre “. Ky është një thumb dhe ironi e sofistikuar e Benit me të cilët i godet antivlerat, vlerat e dyshimta dhe vlerat e kontrabanduara duke bërë me dije se ne qyqarët që nuk kemi vepra dhe të cilëve mund t’u ngriten përmendore edhe 6 metra të gjata kemi vdekur së gjalli , e jetojmë jetën së koti si kufoma të gjalla përkundër atyre që ndonëse janë vrarë, kanë vdekur apo ende janë gjallë me veprat e tyre kanë kaluar përtej vdekjes së kohës e quajtur harresë! Beni ka dashur që të bëjë një foto me dy Ademët shkaku se ka dashur të krijojë një lidhje shpirtërore të përhershme dhe të përjetshme me ta. Të bëhet një grimcë e veprës së tyre! Dhe të gjithë atyre që u sakrifikuan për lirinë dhe bashkimin e shqiptarëve. Jo vetëm gjatë luftës së fundit!

Tallja me veten dhe lëpirësit e by…pjatave : Askush si Beni nuk e ka përshkruar më mirë dhe më bindshëm lëvyrjen ndaj UNMIK-ut dhe administratorëve të huaj pas përfundimit të luftës. Duke hequr dorë nga krenaria, morali , përkatësia kombëtare, shtetit amë, historia e shkuar, e sotmja dhe ardhmëria! Për një interes të vogël personal apo për një imunitet të përkohshëm! Morali i shtrirë për tokë, mohimi i përkatësisë kombëtare, denoncimi i mikut dhe glorifikimi i armikut këto janë shtyllat e një imoraliteti njerëzor , mjerimi intelektual dhe servilizmi politik!

Beni për mrekulli e portretizon një strukturë të re mafioze e cila pasurohet në kurriz të “ vlerave “ të pasluftës dhe e cila në fakt paraqet një vazhdimësi e një mentaliteti jugosllav sepse është një kontinuitet gjenetik! Një zingjir i shërbimit dhe nënshtrimit ndaj atyre që kanë shtypur shqiptarët me shekuj, qofshin turq apo sllavë! Etërit dhe bijt e tyre. Me pamje njerëzore, pa shtyllë kurrizore! Struktura e OJQ-ve dhe ojëqëistëve . Hijena të vërteta ! Që u shërbejnë çdo “gazde” dhe çdo sistemi ! Prej këtu doli dhe polli ideja që më nuk jemi shqiptarë por kosovarë!

Në romanin e tij Arbeni nuk ka dilema se cilat janë vlerat dhe cilat antivlera njerëzore dhe kombëtare. Ai rri mbi ta si përkujtues. Në pamje të jashtme veten e tij e portretizon si horr i cili :” ec me kohën “ mirëpo në përmbajtje ai është vlerë. Njerëzore dhe kombëtare. Madje unë e them se është pasuri njerëzore dhe kombëtare!

Arbeni për mrekulli i portretizon ata që përmes procesit të riinkarnimit bëjnë përpjekje që shpirtin e një hajduti ta vendosin në trupin e një të ndershmi, që shpirtin e një lavireje qoftë edhe politike dhe në radhë të parë politike ta vendosin në trupin e një numri të politikanëve të pasluftës, që shpirtin e një frikacaku ta vendosin në trupin e një trimi, shpirtin e një tradhëtari në trupin e një atdhetari , që shpirtin e një qeni të zgjebosur ta vendosin në trupin e një luani , shpirtin e një maceje të frikshme në trupin e një tigri të fuqishëm dhe përfundimisht që shpirtin e një jonjeriu ta vendosin në trupin e një njeriu ! Mirëpo, përkundër përparimeve të mëdha të shkencës dhe teknologjisë deri më sot nuk është arritur të bëhet funksionale një alkimi e tillë!

Arbeni e ëndërron lirinë e Kosovës duke fjetur në shtratin e Nënës Shqipëri i mbuluar me flamurin kuqezi dhe me shqiponjën dykrenare . Ëndërr e trashiguar nga të parët e tij. dhe jo vetëm ëndërr por edhe detyrim. Ëndërr e shndërruar në ankth! Kur përballet me realitetin e një Kosove që e shpall pavarësinë e dhunuar nga Serbia dhe disa “ miq “ ndërkombëtar . Kur në vend të flamurit kombëtar e gjen veten të mbuluar me një flamur – qefin me ngjyrë të kaltër dhe 6 yje. I cili ia zë frymën dhe errëson ardhmërinë! Ia mbytë ëndrrën dhe kujtimet! Mirëpo Arbeni nuk është njeri i cili hypë në trenin e parë që vjen pa ditur se kah shkonë dhe cili është stacioni i fundit ku ai synon të mbërrinë! Ai nuk kapet për fluska sapuni dhe rrënjë të kalbura! Është si Marathomaku i cili nuk është vetëm lajmëtar i një realizimi të një dëshire dhe ëndërre të parealizuar por është një vazhdues, kontribues dhe krijues i asaj vepre dhe ëndërre! I lirisë së shqiptarëve kudo që jetojnë dhe bashkimit të tyre në një shtet të vetëm! Vetëm atëherë mund të shkojë në Dragodan ku është vendi i denoncimit dhe ku prehen të qetë dhe ku rrotullohen në varr ata që punuan për popullin dhe ata që punuan kundër popullit! Vetëm atëherë do të bisedojë i qetë me babain e tij dhe vetëm atëherë mund t’i thotë : “ Babë, u kry”!

I nderuar është dhe do të jetë ai që krijon vepra që shërbejnë për të mirën e njerëzimit dhe popullit që i takon. Pa i dëmtuar të tjerët. Të merituarit nuk vlerësohen dhe nuk nderohen në kohën kur jetojnë apo kur kanë krijuar vepra. Vetëm horrat dhe ata që shërbejnë horrave e që unë i quaj morra vlerësohen në ato kohëra. Jo në bazë të veprave të tyre por veprave të tjerëve. Kosova është shembull tipik ku vlerësohen dhe madhërohen antivlerat falë disa përjashtimeve. Prandaj ata që krijojnë vlera janë në margjina. Për ta nuk ka vend në sofrën e madhe ku grykësat e të gjitha orientimeve politike dhe partiake mbushin cullat e tyre prej peshkaqejve të pangopur! Arbeni, si krijues i një vepreje të mrekullueshme sot nuk vlerësohet apo vlerësohet nga ata që nuk kanë ndikim.

Mirëpo , retë do të largohen nga qielli i plumbtë që po na ngulfatë shumicën do të hapet. Dhe atëherë do të vlerësohen ata që patën guxim ta thonë të vërtetën dhe ta shkruajnë të vërtetën! Arbeni është i pari në mesin e tyre! Që me një ironi, sarkazëm , shpotitje të goditur, vatakuzim, vetpranim dhe vetflijim e bëri një vepër që tejkalon aktualitetin sepse nuk është vetëm përshkrues por është tregues dhe ndërtues i një kohe që pashmangshëm do të vjen! Sepse Arbeni ndonëse e luan vende –vende rolin e të krisurit , është tepër inteligjent dhe i mençur për t’u kuptuar nga injorantët dhe antivlerat me të cilët është mbushur sot Kosova cep në cep! Për fund dy vlerave monumentale njerëzore dhe kombëtare shqiptare të historisë së re shqiptare Adem Demaçi dhe Adem Jashari do t’i shtoj edhe një vlerë krijuese kombëtare . Ate të Arben Kastartit që e krijoi një testament të së vërtetës , romanin me titull :” E di se kam pasur një titull më të mirë ( por e kam harruar ) sërish”!

 


Më të komentuarat