Vizitorë të nderuar, ju njoftojmë se prej datës 31 Qershor 2013 jemi online me dizajn të ri të ueb faqes,
të cilin aktualisht mund ta vizitoni duke klikuar KËTU

Haki Morina

  foto

Shteti dhe eksodi

(Haki Morina) 19 Korrik 2013 15:37

Është e vërtetë se ekonomia e tregut ka kufizimet e veta, përtej të cilave nuk mund të kapërcesh! Është e vërtetë se ky sistem lejon rrugën joligjore të pasurimit, veçanërisht në fazën e parë të ngritjes së tij. Është e vërtetë se “domosdoshmëria” e keqpërdorimeve është pjesë e pandashme ligjit të mbivlerës. Është e vërtetë se lufta kundër korrupsionit është jashtëzakonisht e vështirë në një ambient ku shkathtësia për të mashtruar quhet aftësi për t’u pasuruar e virtyt njerëzor.

Është e vërtetë që faktorët e shumtë kanë ndikuar në kompleksitetin dhe vështirësinë e rrugëtimit të realizimit të sovranitetit të Kosovës! Por, ndryshe është kur kur je në krye të luftës kundër të keqës edhe pse këto fenomene nuk mund t’i ndalësh. por vepron për reduktimin e tyre mbi kushtet që lejon ky sistem, e ndryshe është kur stimulon elementët brutalë të shfrytëzimit te pasurisë së popullit dhe nëse jo i pari, gjendesh në krye të listës së frymëzimit të mosluftimit të formës ekstremiste të “ndërtimit” të shtetit demokratik.

Imoraliteti ekonomik është forma më e shpejtë e zhvillimit të shtetit, që për bazë ka ekonominë e tregut por jo edhe imoraliteti i shfrenuar. Kjo formë e deritanishme, siç po e tregon koha, e pengon dhe nuk lejon zgjidhjen e problemeve themelore që do të ndikonte në stabilizimin më të shpejtë të krejt godinës shtetërore e si rrjedhim edhe të rritjes së fuqisë për zgjidhjen e problemeve tjera, duke përfshirë edhe kontestet historike me fqinjët tanë grabitqar, sidomos me nacional-shovinizmin serb!

Thaqi thotë: “Nuk jemi të përkryer por jemi më të mirët”! Asnjë vrojtues i matur politik nuk bën e as nuk duhet të bëjë krahasime mes kryeministrit aktual, Thaçit me liderët tjerë! Krahasimi real bëhet mes asaj që bën dhe me asaj që mund dhe duhet të bëjë një kryeministër, i cili u bë lider në sajë të sakrificës së shumë brezave dhe të rënëve për liri! Qeverisja, sistematikisht e keqe, që nga përfundimi i luftës, që erdhi edhe si rezultat i një trashëgimie të gjatë e injorancës, ka ndikuar dhe po ndikon në mosarritjen e standardeve reale të jetesës, të cilat do të mjaftonin në pengimin e largimit masiv nga Kosova!

Kontakti intensiv i shoqërisë sonë me botën e zhvilluar ishte dhe vazhdon të jetë një mundësi e madhe e zhvillimit të shpejtë. Një qeveri e vërtetë do të duhej të shfrytëzonte maksimalisht këtë përparësi duke “imponuar” stilin perëndimor, të arritur me përpjekje e luftëra qindravjeçare të atyre popujve.

Një nga ajetet e rëndësishme të Kuranit është edhe “yrneku”. Atëherë pse shoqëria jonë myslimane dhe qeveria jonë e dalë nga ky popull nuk merr parasysh këtë “rekomandim” të vyer të librit të shenjtë për të kapur me shpejtësi nivelet e larta të zhvillimit perëndimor? Por, jo vetëm që nuk u bë kjo, por që nga fillimi, duke përfshirë edhe kryeministrin Thaçi, i cili jetoi në një vend perëndimor, në vend të sakrificave për të forcuar “thesin” e shtetit, bënë të kundërtën duke lejuan që kush e kush më shumë të grabisë pasurinë kombëtare! Kjo demotivoi dhe pamundësoi energjitë pozitive, brenda popullit, që të shpërthenin me tempon e saj maksimale, duke e ndërprerë mundësinë e shumëfishimit të pasurisë kombëtare.

Kjo vijë politike, përgjatë tërë qeverisjes së vendit, mbajti njeriun e Kosovës në gjendje gjysmë paralizuese! Ndryshimet e ndodhura pas luftës në Kosovë, ishin rezultat i faktorëve të tjerë spontan e jo i mirëqeverisjes. Gati gjithçka ishte jashtë angazhimit të lidershipit politik. Justifikimi i vetvetes, me të arriturat “spontane” përmes politikës mashtruese se gjoja qeveria (të gjitha një pas një) po bën përpjekje të mëdha, duke shkaktuar përparime të “ndjeshme” në zhvillimin e vendit, janë vetëm farsë! Në këtë mashtrim kontribuoi edhe protektorati i ndërlikuar ndërkombëtar.

Mosshpallja e shpejtë e pavarësisë së Kosovës e më vonë edhe sovraniteti i cunguar, për shkak të rastit të “veriut të Kosovës”, u shfrytëzua për të fshehur mungesën e përkushtimit për realizimin e idealeve për të cilën heronjtë tanë ranë. Rezultatet e vonuara në politikën e jashtme erdhën si rezultat i politikës së keqe në qeverisjen e vendit. Ato ishin jashtë kreativitetit të faktorit të brendshëm politik, të cilat u prezantuan si gjoja meritë e tyre, e në anën tjetër, duke shfrytëzuar patriotizmin folklorik shqiptar, tipik për patriotizmat e pasluftës, që kanë të bëjnë me “llafe pas kuvendit”, nga ana e opozitës, e mbajtën vetëdijen e elektoratit në gjumë të thellë, duke mos bërë asnjë përpjekje për të neutralizuar pengesat e natyrave të ndryshme, që do të mundësonin një përparim efektiv, drejtpërdrejt në të gjitha sferat e shoqërisë dhe të shtetit.

Pra, duke vepruar në mënyrën siç nuk duhej vepruar, ekonomia, si baza e zhvillimit të shtetit e kombit, mbeti larg fuqisë së saj për të prodhuar vende pune. Duke kthyer mbrapsht konceptin e profitit dhe të krejt konceptit të ekonomisë së tregut, u krijua një gjendje absurde, ku elementet bazë u injoruan në mënyrë të paparë. Një nga shtyllat më të rëndësishme të hyrjeve financiare, që vjen nga potenciali gjigant i diasporës, u injoru në mënyrë primitive.

Shfrytëzimi racional i këtij elementi të prurjeve materiale, në fillimin e ndërtimit të shtetit të ri ishte i domosdoshë. Politika jonë qeverisëse nuk bëri asnjë “hulumtim” ekonomik duke manifestuar injorancë të shkallës së lartë, duke shkaktuar kështu dekurajim të diasporës që reduktoi në maksimum interesimin e bashkatdhetarëve, jo vetëm për investime por edhe për prurje të thjeshta e tradicionale financiare. Infrastruktura, duke filluar nga rrugët, kanalizimet e ujësjellësit, një kohë u lanë fare mënjanë! Kur u vunë “në qendër të vëmendjes”, u punua me mentalitet të një shekulli me parë, duke mos marrë fare parasysh metodat e reja dhe standardet evropiane. Me këto politika, jo vetëm që penguan derdhjen e kapitalit investues në Kosovë por destimuluan bashkatdhetarët edhe për të vizituar atdheun.

Në anën tjetër, vështrimi i biznesit, dhe i ndërmarrjeve private, jo si mekanizëm për të rritur kapacitet prodhuese në ekonominë e saponisur të “tregut të lirë” por, si një mundësi për të kapur pushtet politik dhe ekonomik sa më të madh, ishte dhe vazhdon të jetë një ndër faktorët e rëndësishëm të ritmit të ngadalshëm të hapjes së vendeve të reja të punës. Duke menduar për xhepin e vet, e duke mos dhënë shtytje dinamizuese zhvillimit të vendit u pengua mundësitë e reja. Një nga anët me të rëndesishme të kesaj politike të keqe ishte dhe është mosasistenca në zhvillimin e industrisë dhe indiferentizmi total në drejtim të mbështetjes për ngritje të cilësisë së produkteve vendore që është tipari tjetër i qeverisjes në Kosovës.

Qasja tërësisht antiekonomike në bujqësi, e sidomos në blegtori, shkaktoi barriera të rënda në zhvillimin e këtij sektori. Me grykësi të pafund, në kurriz të interesit të përgjithshëm, u pamundësua rritja e shpejtë e rendimenteve bujqësore e blegtorale.

Këto dhe shumë të tjerë faktorë politiko-ekonomik, embrioni i së cilës qëndron te mosrespektimi i parimeve themelore të zhvillimit, që nga mënyra e organizimit partiak ku kryetarët e nëndegës zgjidhen nga Dega e kryetarët e Degës zgjidhen nga Qendra, e deri tek organizimit institucional-shtetëror, quan në situata dëshpëruese, duke mbytur shpresën dhe besimin, të cilat po manifestohen me fenomene të rënda, siç janë përpjekjet e fundit të qytetarëve të thjeshtë, për të gjetur shpëtim në një botë tjetër, jashtë vendit të tyre e larg ku kanë lindur. Nga vendi ku qytetarët e saj, fjalën e parë e kanë: “s’ka kurrgjë këtu”

 


Më të komentuarat