Vizitorë të nderuar, ju njoftojmë se prej datës 31 Qershor 2013 jemi online me dizajn të ri të ueb faqes,
të cilin aktualisht mund ta vizitoni duke klikuar KËTU

Haki Morina

  foto

Arsyet e vërteta të Ligjit për Amnistinë

(Haki Morina) 08 Korrik 2013 08:11

Ligji për Amnistinë këto ditë është tema qendrore! Edhe pse i rëndësishëm për zbatimin e marrëveshjes me Serbinë, në parlament ai nuk kaloi në leximin e parë! Por kjo s’ka rëndësi, sepse ai do të kalojë në leximet tjera, por nervozoi ndërmjetësuesit ndërkombëtarë sepse ngadalësoi shpejtësinë e procesit për "normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë. Por edhe nëse nuk do të kalohej në leximet tjera, përsëri ky ligj do të zbatohet në mënyrë të heshtur në praktikë sa të jetë gjallë "demokracia"! Nga debatet dhe diskutimet, sidomos nga kundërshtuesit vërehej konfuzitet i lartë i mendimit në lidhje me këtë ligj. Paaftësia për ta argumentuar domosdoshmërinë e këtij ligji e karakterizoi Kuvendin e Kosovës.

Parlament i dalë si rezultat i seleksionimit të liderëve partiakë s'kishte si të gjente fuqi politike për të kuptuar domethënien e vërtetë të këtij ligji. Kur te kundërshtuesit ose mosvotuesit e ligjit kishte aq shumë konfuzitet atëherë çfarë qartësie mund të pritej prej deputetëve votues, të cilët e ndjenin, dhe një pjesë e deklaronin, "absurditetin" e këtij ligji, edhe pse e votuan!

U përmendën shumë faktorë relevantë e jorelevantë për shkaqet e sponsorizimit të këtij ligji nga ana e qeverisë. Por gjithçka ishte në funksion të reklamimit të "etikës" dhe "moralit" të tyre politik, në funksion të krijimit të imazhit si kusht i rëndësishëm për të rritur potencialet mashtruese që prodhojnë industrinë e prodhimit të votës elektorale, por nuk pati një shoshitje të vërtetë të çështjes që do t'i ndriçonte vetes dhe popullit se pse duhej të aprovohej ose jo ky ligj.

Kundërshtuesit edhe pse e dinë që me këtë ligj lehtësohet funksionimi i shtetit në të ardhmen, përsëri përdoren metodat klasike të shfrytëzimit të "anomalive" që pjell sistemi i ekonomisë së tregut, për të përfituar vota nga shumica e varfër e shoqërisë, cila nuk mund të "preket" nga ky ligj.

Ky ligj, me apo pa përmirësime, ishte domosdoshmëri që e kërkon procesi i negocimit për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, por në radhë të parë jep mundësi që sistemi i sapofilluar i ekonomisë së tregut, i cili nuk mund të stabilizohet shpejt pa ligje të tilla, të ecë rrugës së vet përndryshe me këtë grumbull problemesh edhe nisja e bisedimeve për MSA bëhet gati i pamundur!

Kur kemi parasysh faktin që asnjë klasë nuk mund të shkëputet nga baza e trashëguar (e varfër), pa një veprimtari tërësisht "joligjore" aprovimi i një ligji të tillë del krejtësisht logjik. Kujtojeni "Berluskonin" dhe deklaratën e tij: "Mos më pyetni për 1 milionëshin e parë se për të tjerat i verifikoj në baza ligjore". Pra, klasa aktuale e milionerëve të sapoformuar në Kosovë, nuk dëshiron të "rrezikojë", apo nuk ka nevojë të vazhdojë mënyrën e deritanishme të shtimit të pasurisë, sepse baza e krijuar deri tani është e mjaftueshme për të siguruar apo për të vazhduar me tempo normale, brenda kornizave ligjore, stabilitetin e saj. Arsye e dytë e nevojës për këtë ligj, është për të penguar konkurrentët e rinj me talent të madh mashtrues.

Përpjekja për të kamufluar këtë ligj, duke e përzier me amnistinë për serbët, është thjesht përpjekje për të shfrytëzuar "një udhë e dhjetë punë" duke e justifikuar me "trysninë" ndërkombëtare. Jo rastësisht, në këtë ligj të "amnistisë" u futën edhe veprat penale për vrasje, vjedhje, plaçkitje, mashtrime etj., të cilat mund të aminstoheshin më vonë ose më përpara.

Siç shihet, synimi i këtij ligji është vetëm normalizimi i marrëdhënieve me fqinjët tanë armiqësorë, por edhe plotësimin mekanik të kushteve tjera për integrimin e Kosovës në BE që jep mundësi ideale për klasën politiko-ekonomike të Kosovës edhe për të fshehur arsyen thelbësore që në instancë të fundit, ka për qëllim lehtësimin e "legalizimit" të pasurisë së krijuar përmes një rruge thellësisht ilegale, të fshehjes së mënyrës së formimit dhe të rritjes si klasë e lartë shoqërore, e cila në "parim", në asnjë vend nuk është krijuar ndryshe, përveç se në mënyrë të pandershme.

Deklarata e profesorit të drejtësisë, deputetit Arsim Bajrami (i cili e di mirë çka është ligji i mirë dhe çka ai i keq) se "është në interes të shtetit të aprovohet ky ligj", tregon më qartë se gjithçka, arsyen e vërtetë të kërkesës për aprovim. Profesori me përvojë e di shumë mirë që shteti aktual ka bazë të ekzistencës së vet ekonominë e tregut, drejtësia është në funksion të klasës së pasur dhe klasat tjera shoqërore thjesht u shërbejnë interesave të klasës së lartë për administrimin sa më efikas të interesave të saj.

Duke qenë se ne, si shoqëri, s'kemi asnjë predispozitë për të nisur një sistem tjetër më human, apo një shtet të izoluar nga bota, del që një ligj, që legalizon vrasësit, hajdutët, kriminelët, manipuluesit, dallaveraxhinjtë, mashtruesit, sekserët dhe shfrytëzuesit, është i pakapërcyeshëm. Ligjet e tilla të cilat u shërbejnë proceseve të zhvillimit të sistemit të pranuar nga shoqëria, konform rrugës normale të ndërtimit të fazës së parë të tranzicionit "demokratik"! "Normaliteti" i fenomeneve të tilla erdhi si rezultat i përmbysjes së sistemit socialist, që në Kosovë koincidoi edhe me largimin e pushtuesve serbë, sistem i cili dështoi për shkak të gabimeve e devijimeve të mëdha në parimet bazë e që u shoqërua nga papërvoja e pamjaftueshmëria e vetëdijes, për të ndërtuar, zhvilluar dhe vazhduar me sukses.

Për sa i përket të dënuarve politikë serbë, në rrethanat "jonormale" që po kalon procesi i formësimit të sovranitetit të plotë, do të ishte një ligj i justifikueshëm, aq më tepër kur dihet që pas Luftës së Dytë Botërore janë praktikuar marrëveshje e amnisti të ndërsjella midis popujsh e shtetesh, për "robërit", të dënuarit etj., faktikisht... ndryshe nuk arrihet krijimi i klimës normale.

Pra shkaku i vërtetë i Ligjit për Amnisti, përqendrohet, jo tek aministimi i serbëve sa tek aministimi i klasës sunduese politiko-ekonomike e cila u formua me shpejtësi dhe tash i duhet një ligj për të mbrojtur veten dhe interesat e saj nga çdo e papritur në të ardhmen, klasë e cila përfaqësohet nga "elita" e sotme politike, ku janë të përfshirë edhe përfaqësuesit e një numri të madh shqiptarësh, që i kanë shërbyer, në forma të ndryshme, regjimit 50-vjeçar titisto-rankoviqist! Pra, s'ka ligj lustrimi pa aprovuar ligjin e amnistisë!

 


Më të komentuarat