Vizitorë të nderuar, ju njoftojmë se prej datës 31 Qershor 2013 jemi online me dizajn të ri të ueb faqes,
të cilin aktualisht mund ta vizitoni duke klikuar KËTU

Haki Morina

  foto

Dilemat e nje prognozimi

(Haki Morina) 19 Qershor 2013 17:24

Në krahasim me fitoren e Berishes, fitorja e Ramës edhe do të mund të quhej njëfarë rilindje. Por nuk mund të anashkalohet fakti se fitorja e PS nënkupton ardhjen në pushtet të kastës së fundit të bijëve të "komunistëve" të cilët në jetën opozitare dhanë shume sinjale që premtimet e tyre nuk janë të sinqerta. Në praktikën e jetës partiake, gjatë kohës sa ishin pa pushtet, socialistët nuk treguan aftësi "institucionale" për të respektuar normat dhe statutin e partisë. Në zgjedhjet e tyre të brendshme, shpesh shfaqën tendenca të theksuara klanizmi e autoritarizmi duke shmangur respektimin e parimeve demokratike e morale për sjellje korrekte në lojën e brendshme politike! Nga kjo mund të konstatojmë që nuk mund të pritet të respektojne ligjet në rast të ardhjes së tyre në pushtet.

Nje mik i imi socialist, nga jugu i Shqiperise, këto ditë me pyeti se si e shikoj unë rezultatin ose kush mund t'a marr pushtetin në Shqiperi pas këtyre zgjedhjeve duke e arsyetuar pyetjen, siq tha ai, me faktin se ne e kemi të vështire prognozimin real për shkak se jemi të "sëmurë"?

Fatkeqësisht, më duhët t'a pranoj që asnjëherë sikur kësaj radhe, nuk kam patur një pasiguri prognozimi siq kam tani!

Një lloj "optimizmi" për fitoren e PS ma kanë sjellë turmat pa kokë këtu në Kosovë të cilat përsëri mendojnë se duhet të fitoj Berisha, por kësaj herë janë skeptik për fitoren e tij.

Kam përshtypjen se kësaj radhe specialistët e politikës e kanë më të vështirë në parashikimet e tyre. S'kanë si ta kenë të lehtë apo të jene të sigurt në prognozim për shkak se më të vërtetë është e vështirë te kuptohet se a ka arritur Berisha fuqi shpirtërore të shmang tundimin për t'a dërguar Shqipërinë përsëri në një vit të mbrapsht si ai i 97-ës, vetëm e vetëm për të ruajtur pushtetin, apo ai e ka kuptuar që për të tani është e rëndësishme ose e mjaftueshme që pas 23 qershorit të jetë opozitë e fuqishme sa per të përballuar me sukses luftën opozitare në katër vitet e ardhshme, duke ruajtur kështu pasurinë gjigante, të grumbulluar gjate shume viteve ne pushtet, nga ai dhe familja se tij. Me aq para sa kane zaptuar ata kanë gjysmën e pasurisë së vendit! Duke qenë kështu duket që ata nuk do të kishin interes për të shkaktuar një luftë të re civile! Kjo na bën nganjëherë të besojmë që ai bën luftë politike që nuk nënkupton "krejt ose asgjë" por në radhë të parë që të mbajë njerëzit e vet në garë! E keqja është se as në këtë "variant" nuk mund të jemi të sigurtë, për shkak të natyrës së ti prej "luftëtari të paparashikueshëm" duke na bërë akoma me skeptik në precizitetin e mendimit tonë prognozues për rezultatin e zgjedhjeve apo për "profetizimin" e situatave në keto momente delikate nëpër të cilat po kalon politika shqiptare!

Duke qenë se njerëzit e Berishës nuk janë më si në 97-ën edhe për faktin se tani kanë aksione në cdo vepër ekonomike, mendoj se nuk do të kishin interes për të provokuar trazira prej të cilave më shumë do të humbisnin sesa do te fitonin. Përndryshe, veq nese Berisha ka vendosur te behet si mbreti Zog, duke imponuar nje monarki absolute, gjë e cila vështirë se do të mund të instalohej, për shkak të rrethanave tjera të brendshme dhe ndërkombëtare.

Nje element i ri qe ja vlen te permendet ne keto zgjedhje është koalicioni i opozitës ose konkretisht, koalicioni i Rames me Metën të cilët deri më tani nuk dolën bashkë në bazë asnjëherë për fushatë!

Si duket Meta do te mundohet të shfrytëzoj koalicionin me socialistët për të ruajtur kohezionin dhe karakterin e "majt" të LSI. Pasi shrytezoj mirë bashkëqeverisjen me Berishën ai arriti të ruaj forcën politike dhe ekonomike të cilën do ta shfrytëzoj në këto zgjedhje. I ikur nga qeveria e djathtë "pa halë në këmbë" ai tani ka rast për t'u rritur si parti... rritje për të cilën ka shumë nevojë. Mirepo kjo paraqet thikë me dy teha për politiken shqiptare e cila paraqet rreziqe ekomomike për shkak të pamundësisë së realizimit të premtimit për të reduktuar nivelin e korrupsionit në një qeverisje të mundshme me Ramen. Meta, nëse do të fuqizohet dhe të siguroj më tutje të ardhmen e vet politike i duhet patjetër të përdorë pushtetin politik e ekonomik që ia ofrojnë kontradiktat shqiptare nëse mendon për të rritur dhe siguruar potencën e ti politike për një kohë të gjatë.

Dikush mund të thot se Meta ka mjaft lekë! Nuk është puna thjeshtë për lekë kesh... Puna është tek punësimi i njerëzve që automatikisht do shumëfishonte numërin e antarëve të partisë...por edhe të votave në zgjedhje. Në rrethanat shqiptare blerja stabile e elektoratit realizohet zakonisht me punesim politik siq ka vepruar në mënyrë masive Berisha dhe qeveria e tij. Meta mund të ketë lekë por dihet që edhe të tjerët kanë lekë dhe në këtë konkurrencë lekësh nuk është megjithatë dominanti...e kjo ia vështireson mjaft punën. Dihet qe faktori numër një, pvr një rezultat solid elektoral, janë tifozët tradicionalë që nuk blihen lehtë, për shkak të urrejtjes së gjatë dhe betonimit në pozicionet e tyre partiake, janë potenciali më i rëndësishëm i rezultatit elektoral. E LSI ka pak "tradicionalitet" në krahasim me PS dhe PD e të mos flasim për partinë e ish presidentit Topi ose forcën politike të Aleancës Kuq e zi e cila është tepër e re dhe e brisht për t'i përballuar ashpërsisë ekstreme të lojës politike shqiptare!

Logjika e ndërrimit normal të pushtetit sot është e rëndësishme si buka!Vetëm një gjë mund t'a "prognozojmë" tani për tani: politika shqiptare në këto zgjedhje është në provën e fundit për të treguar aftësinë për ndërtim të demokracisë!

 


Më të komentuarat