Vizitorë të nderuar, ju njoftojmë se prej datës 31 Qershor 2013 jemi online me dizajn të ri të ueb faqes,
të cilin aktualisht mund ta vizitoni duke klikuar KËTU

Haki Morina

  foto

Frika dhe mashtrimi

(Haki Morina) 09 Maj 2013 12:05

Liderët aktualë janë liderë në radhë të parë për shkak të njohjes së mirë të sistemit mashtrues e jo të përkushtimit të tyre atdhetarë! Të mashtruarit, thellë në ndërdije, e dinë që po mashtrohen por frika e tyre nuk i lejon të dalin nga prangat mashtruese dhe pranojnë robërinë duke vazhduar t'i shërbejnë padronëve!

Nga përvoja ime, kam vërejtur se shumica heshtin ose kanë frikë (nga partitë e tyre ose nga faktorët ndikues) t'a thonë të vërtetën! Përderisa në njërën anë ithtarët proqeveritarë thirren në drejtësinë e pushtetit, kundërshtarët e qeverisë teorinë e tyre e mbështetin në drejtësinë e përmbysjes! Por frika për t'a thënë të vërtetën në mënyrë të hapur e me guxim qytetar, i bën të njëjtë të dyja palët!

Jemi dëshmitarë të përditshëm që qytetaria dhe guximi kanë mbetur ose po mbeten pas shpinës së partive....tek anëtarët e ultë e të dobët të këtyre subjekteve gjoja politike..

Sigurisht që kjo kohë është kohë e keqe për njerëzit e mirë - më tha një mik këto ditë... e hanë e flasin pastaj ja rrasin....kjo ndodhë si në pozitë edhe në opozitë... e rëndësishme është se nuk të lëshojnë pa kurrgjë... në fund të fundit qytetaria për popullin tonë, në të shumtën e rasteve është luks - përfundoj miku im i zhgënjyer!

Në një gjendje krize morale, që prodhon në radhë të parë frikën, ç'do njeri e ka një të "vërtetë", e disa të "vërteta" që ngjajnë tek njëra- tjetra, bashkohen dhe ndërtojnë kështu një bazë, e cila përdoret si e vërtetë absolute. Duke menduar se mosdeklarimi i të vërtetës, që buron jashtë frikës, e shmang njeriun nga pasojat e skllavërimit, ai në fakt nuk bën tjetër veç kontribuon në udhëtimin e vet, bashkë me tërë shoqërinë, drejt varrit vdekjeprurës të skllavërisë!

Duke patur parasysh se ka shumë politikanë, por ka pak vizionarë të denjë prej lideri të njëmendët, që i përkasin kohës së tyre dhe të ardhmes politike të vendit, situata paraqitet shumë dëshpëruese.

Në kushtet aktuale, të kërkosh revolucion të përmasave të dhunshme, është një naivitet! Tani nuk janë vitet 80-ta apo 90-ta! Guximin e vet qytetari ka mundësi ta manifestoj në forma krejt tjera dhe të ndryshoj realitetin! Deri tani qytetari ka treguar dëgjueshmëri ndaj liderit, duke lejuar seleksionim negativ në të gjitha sferat e organizimit politik në Kosovë! Për shembull: sa herë një lider ka kërkuar nga qytetari të eliminoj një kuadër të fortë, kjo është mbështetur nga "elektorati", i cili e kishte në dorë e tij kundërshtimin demokratik, por asnjëherë nuk e përdori...Duke e pranuar si demokratik institucionin e "lobimit", i cili nuk është gjë tjetër veç institucion legal i manipulimit e mashtrimit të qytetarit në interes të shfrytëzimit maksimal, nuk bën gjë tjetër veç i hap derën ujkut!

Mendimi që synon konkluzionin

Liderët aktualë janë liderë në radhë të parë për shkak të njohjes së mirë të sistemit mashtrues e jo të përkushtimit të tyre atdhetarë! Të mashtruarit, thellë në ndërdije, e dinë që po mashtrohen por frika e tyre nuk i lejon të dalin nga prangat mashtruese dhe pranojnë robërinë duke vazhduar t'i shërbejnë padronëve!

Detyrë e ç’do patrioti sot është të sfidoj ambientin e frikshëm, duke dhënë shembullin personal të manifestimit të guximshëm të ideve dhe mendimeve reale, duke përplasur ato pa frikë në fytyrën e madhe të gënjeshtrës e të mashtrimit, në mënyrë që të kontribuoj në formatizimin e denjë të energjive pozitive në shërbim të kombit!

 


Më të komentuarat