Vizitorë të nderuar, ju njoftojmë se prej datës 31 Qershor 2013 jemi online me dizajn të ri të ueb faqes,
të cilin aktualisht mund ta vizitoni duke klikuar KËTU

Mehmet Bislimi

  foto

Të gjithë ose asnjë!

(Mehmet Bislimi) 12 Prill 2013 11:03

Pa dyshim se është vendim i vonuar, margjinalizuar, degraduar, nënvlerësuar e çka jo, për më keq është edhe vendim selektiv, pse themi kështu?!

Gjatë gjithë përpjekjeve tonë për çlirim e bashkim kombëtar, shqiptarët e mbetur jashtë trungut të vet- Shqipërisë natyrale, janë përpjekur për liri kombëtare pa dallim krahinash ku ata jetonin. Tokat shqiptare dhe bijtë e tyre që ishin të pushtuara nga ish Jugosllavia Titiste, bënë përpjekjet më sublime për liri; ata ishin nga Presheva, Medvegja e Bujanoci, nga Drenica e Llapi, Dukagjini, rrafshi i Kosovës, Gallaku, Tetova, nga Gostivari, Shkupi, Ohri, Malësia e Madhe, Ulqini, Plava e Gucia, pra ishin një- ishin vet Shqipnia!...

Ata nuk kanë luftuar për liri selektive, dhe nuk duhet të shpërblehen në mënyrë selektive! Të gjithë të dënuarit politik shqiptarë nën ish Jugosllavinë pushtuese, duhet të trajtohen njësoj, ndryshe do të bënim një shkelje të rëndë kombëtare, morale dhe njerëzore.

Dorën në zemër, ata, nuk kanë vrarë mendjen asnjëherë se do t’i “shpërblej” dikush, apo jo!, ata kanë vepruar tok si bijtë e kësaj toke që i thonë tokë shqiptare, prandaj mos iu hyni në hak atyre se ju dënon dora e zotit- të gjithë ose asnjë!

Ne i kemi dhënë atdheut diçka nga mundësitë tona, diçka që nuk e kemi vënë në dyshim kurrë, dhe për atë sakrificë modeste në shërbim të atdheut, nuk jemi penduar kurrë. Ne nuk i kemi dhënë vitet e rinisë sonë veresi për atdhe- jo, të paktën unë jo!

Vitet e mia më të bukura të rinisë, lënë në burgjet e pushtuesit Jugosllav, nuk mund të blihen as për 15, as për 150, as për 150.000 euro në ditë- natë. Jo, edhe një herë, jo. Por pa më të voglin dyshim, për atdhe, unë dhe të gjithë ne, pra ish të dënuarit politik të shqiptarë nën pushtim të ish Jugosllavisë; jemi të gatshëm të japim prapë- ashtu siç e kanë dhënë edhe jetën për liri bijtë tanë.

Mos u hyni në hak të dënuarve politik na viset shqiptare mbetur në pushtimin Serb-maqedon- malazez. Mos u hyni në hak të përvuajturve shqiptarë të dënuar nga ish sistemi i Jugosllavisë. Nëse ata duhet të shpërblehen, atëherë të shpërblehen pa dallim- pavarësisht ku jetojnë ata sot e dje; Mal të Zi, Serbi, apo Maqedoni, ata u përpoqën së bashku me ne për liri dhe bashkim kombëtare, tok si vëllezër dhe bijë të kësaj toke, madje nuk është as vullneti i tyre që sot të jetojnë ende të pushtuar nga Mali i zi, Maqedonia, dhe Serbia!

Dëmshpërbleni: TË GJITHË OSE ANJË!/ Reagim në lidhje me vendimi e Qeverisë së Kosovës për dëmshpërblimin e të dënuarve politik shqiptarë të Kosovës!/

Prill, 2013

Ish i dënuar politik

Mehmet Bislimi

 


Më të komentuarat