E drejta e vonuar ėshtė njė e drejtė e mohuar
Prishtinë, ((Ali Ahmeti)) 06 Qershor 2012 11:28Fjala e kryetarit tė BDI-sė Ali Ahmeti, tė mbajtur nė 10-vjetorin e themelimit tė BDI-sė.
Të nderuar miq, të nderuar bashkëveprimtar ndër vite, vëllezër dhe motra,
Sot, është një ditë e veqantë për të gjithë ne. 5 qershori i vitit 2002 paraqet një ditë të shënuar jo vetëm për anëtarët dhe simpatizuesit e Bashkimit Demokratik për Integrim, por për të gjithë qytetarët e Maqedonisë.
Sot, shënojmë dekadën e parë të veprimit tonë të përbashkët në realizimin e idealeve të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare që po jetësohen nga trashëguesit e këtij organizimi sublim të shqiptarëve në Maqedoni.
Të nderuar,
E drejta e vonuar është një e drejtë e mohuar. 10 vite pas pavarësimit të vëndit, shqiptarët akoma ishin në pritje të realizimit të të drejtave të tyre të mohuara për barabarësi dhe shtetformësi.
Duke marrë parasysh këtë vonesë, ne, të gjithë bashkë, vendosëm që të ecim rrugën e pashtruar në mënyrë që të lejmë gjurmë e jo ta ndjekim rrugën e shtruar nga të tjerët që nuk na kishte realizuar aspiratat kombëtare.
Këtë rrugë filluam ta shtrojmë me tre parime kryesore që paraqesin bazamentin e qëllimeve tona: Marrëveshja e Ohrit e cila shënoi përfundimin e luftës dhe fillimin e proçesit politik, integrimi i shqiptarëve nëpërmjet arritjes së barabarësisë dhe shtetformësisë si dhe integrimi në strukturat eurotlantike ku do ta ndërtojmë të ardhmën tonë të përbashkët.
Ky proçes kërkonte impenjim maksimal nga të gjithë faktorët shoqëror në mënyrë që të jetësohet fryma e pajtimit dhe barabarësisë dhe të ndërtohet ideali i përkatësisë euroatlantike.
Këto që ishin arritur në letër dhe në ligje, duheshte edhe të zbatohen. Vigjilent për rëndësinë historike të këtyre proceseve, drejtuesit e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare inicuan dhe themeluan Këshillin Koordinues të partive shqiptare.
Ky këshill, nuk arriti dot të ngadhnjejë mbi interesat e ngusht partiake. Kjo shkaktoi domosdoshmërinë e krijimit të një subjekti gjithëpërfshirës që do ta merrte mbi shpatulla përgjegjësinë e ndërtimit të rrugës së barabarësisë dhe të ardhmërisë. Drejtuesit e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare nuk mund ti linin të arriturat e firmosura me gjakun e dëshmorëve vetëm në letër.
Andaj, duke qenë të vetëdishëm për rëndësinë historike të asaj kohe, bashkarisht vendosëm të themelojmë Bashkimin Demokratik për Integrim që do të shërbente gjithëmonë për ti bashkuar njerëzit dhe asnjëherë për ti ndarë ata.
Angazhimi jonë arriti të ndryshojë Kushtetutën duke ndryshuar në këtë mënyrë edhe konceptin e shtetformësimit dhe karakterin politik të Maqedonisë, nga një shtet në pronësi të një etnie në shtet multietnik.
Marrëveshja e Ohrit e cila bazohet në konceptet e decentralizimit, mos-diskriminimit, përfaqësimit të drejtë dhe adekuat, procedurat e veçanta parlamentare, arsimin, përdorimin e gjuhës si dhe shprehjen e identitetit kombëtar u bë pjesë e Kushtetutës.
Në këtë mënyrë, parimi i demokracisë konsensuale u realizua nëpërmjet të votimit të dyfishtë në Parlament për të gjitha ligjet që prekin interesant e komuniteteve në Maqedoni.
Mandatin e fuqishëm për ndërtimin e rrugës tonë të përbashkët e vendosën qytetarët në vitin 2002 duke ia dhanë Bashkimit Demokratik për Integrim të gjithë përgjegjësinë për vazhdimin e proçesit për arritje të barabarësisë.
Në zgjedhjet e shtatorit të vitit 2002, qytetarët shqiptar vendosën njëzëri që të mbeshtesin ato që filluan të shtojnë rrugën e pashtruar për të lënë gjurmë duke hapur rrugën e barabarësisë dhe ardhmërisë.
Në këtë mandat qeverisës, u zyrtarizua Univerziteti Shtetëror i Tetovës, u realizua proçesi i Decentralizimit, sollëm pakon e madhe të ligjeve që buruan nga marrevëshja e Ohrit, inicuam proçesin e përfaqësimit të drejtë dhe adekuat të shqiptarëve në institucionet e vendit, miratuam ligjin për përdorimin e Flamurit kombëtar shqiptar. Gjitashtu gjatë qeverisjes së parë, në bazë të zbatimit të suksesshëm të Marrëveshjes së Ohrit, Bashkimi Evropian i ndau Maqedonisë statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE.
Ndërhyrja më serioze kundër rrugës që po shtronim për një të ardhme më të mirë të përbashkët u bë pas zgjedhjeve të vitit 2006, kur nuk u respektua verdikti i popullit shqiptar. Përpjekja e vrazhdtë për të ndërprerë rrugëtimin tonë lëkundi themelet e parimit të qeverisjës së drejtë dhe legjitime nga përfaqësuesit e zgjedhur të të dy komuniteteve shumicë në vend.
Ky mosrespektim i vullnetit të popullit shqiptar solli krizë politike në vend, por edhe kthim mbrapa nga rruga jonë e drejtë. U abrogua Ligji për Përdorimin e Flamurit, u diskreditua parimi i demokracisë konsensuale, u nis tjetërsimi i trashëgimisë kulturore dhe shpirtërore të shqiptarëve nëpërmjet të proekteve monoetnike.
Presioni i vazhdueshëm për të ndalur rrënimin e të arriturave dhe për të rivendosur vëndin në rrugën e drejtë solli deri tek rrëzimi i Qeverisë jolegjitime dhe zgjedhje të parakoheshmë në vitin 2008.
Këto zgjedhje, si asnjëhërë më parë, vranë dhe plagosën demokracinë me përpjekje të dhunshme për ta justifikuar uzurpimin e institucioneve. Por as dhuna nuk ia arriti që ta mohojë zërin e popullit dhe përcaktimin e tij në përkrahje të rrugës së drejtë.
Fitorja jonë e ndaloi rrënimin e rrugës, por nxorri në pah edhe nevojën imediate për përmirësimin e të gjitha dëmeve të mëdha që ia kishin bërë asaj rrugë.
I dhamë karakter multietnik proektit monoetnik, rikthyem vlerën e demokracisë konsensuale në vend dhe frymën e respektimit të votës shqiptare.
Gjithashtu në këtë mandat, përfaqësimi i drejtë dhe adekuat u avancua në mënyrë shumë të theksuar që mundësoi dyfishimin e administratorëve shqiptar në institucionet e vendit, u themelua Muzeu i Lirisë në Shkup, u institucionalizua Muzeu i Alfabetit në Manastir, u shënua 100 vjetori i Kongresit të Manastirit, 100 vjetori i Lindjes së nobelistës shqiptare Nënë Tereza, u miratua ligji për përdorimin e gjuhës shqipe, si dhe ligji për financimin e komunave me çrast avancuam proçesin e decentralizimit bashkë me shumë proekte tjera.
Gjurma tjetër e Bashkimit Demokratik për Integrim në këtë mandat është liberalizimi i vizave me Bashkimin Evropian që demonstron përkushtimin tonë për ndërtimin e rrugës tonë të përbashkët me impenjime konstante në të gjitha shtyllat.
Në këtë mandat shënuam edhe njohjen e Republikës së Kosovës që mohoshte në kohën e uzuprimit të institucioneve kur ne festonim me dinjitet anëmbanë Maqedonisë. Gjithashtu përfunduam procesin e demarkacionit të kufirit me Kosovën që i dha fund marrëveshjes midis Maqedonisë dhe ish Jugosllavisë e cila njihte sovraniten Jugosllav mbi Republikën e Kosovës si dhe shfuqizuam regjimin e vizave me Republikën e Shqipërisë.
Në zgjedhjet e parakohëshme të vitit 2011, Bashkimi Demokratik për Integrim fitoi besimin e plotë të shqiparëve. Këto zgjedhje u vlerësuan me notat më të larta nga komuniteti ndërkombëtar.
Por, në këto zgjedhje, shqiptarët humbën disa deputet si pasojë e përçarjes së votës që nuk duhet të përsëritet më.
Vetëm në vitin e parë të këtij mandati qeverisës, hymë me program të përbashkët qeverisës, me intepretim autentik të Ligjit për amnesti, me rikthim të Ligjit për përdorimin e flamurit kombëtar si dhe me avancim të përdorimit të gjuhës shqipe. Në këtë qeverisje, morrëm rol edhe më të theksuar nëpërmjet të 35% të pozitave drejtuese në kabinet, në veçanti ato që ndërlidhen me integrimin e vendit në BE dhe NATO.
Shënuam 10 vjetorin e Marrëveshjes paqësore të Ohrit, themeluam Këshillin për shënimin e 100 vjetorit të Ditës së Flamurit dhe e zyrtarizuam këtë festë të madhe për shqiptarët me votim në Parlamentin e Maqedonisë, vumë gurthemelin e Sheshit Skënderbeu, rrëzuam kufirin me Shqipërinë duke liberalizuar kalimin e kufirit vetëm me letërnjohtime.
Vazhdimi i ndërtimit të shtyllës së tretë të rrugëtimit tonë vijoi me nisjen e Dialogut Substancial për anëtarësim në Bashkimit Evropian edhe krahas pengesës me kontekstin e pazgjidhur me fqiun tonë jugor mbi emrin e vëndit.
Kjo pengesë qëndron para portës së hyrjes së Maqedonisë në NATO dhe kërkon zgjidhje të menjëhershme. Bashkimi Demokratik për Integrim dhe Qeveria e Maqedonisë është në pritje të formimit të Qeverisë stabile në Greqi që të vijojë përpjekjet për zgjidhje të shpejtë.
Fillim të zgjidhjes paraqet edhe mundësia për marrje të ftesës së kushtëzuar për anëtarësim në NATO me çrast do të kishte filluar ratifikimi i protokolit për anëtarësim të Maqedonisë në NATO nga ana e parlamenteve të vendeve anëtare të NATO dhe që do të mundësojë përfundim e çështjes së zgjidhjes së emrit gjer në përfundim të procesit të ratifikimit.
Bashkimi Demokratik për Integrim ka një përparësi ndaj të gjithë nesh. Dallimi midis nesh si individ dhe BDI si parti është se ne plakemi, ndërsa Bashkimi Demokratik për Integrim mbetet gjithëmonë i ri me një moshë mesatare prej 27 vjeç.
Të nderuar, jo më kot populli jonë thotë: Arra ime, varri im. Ne, tjetër vend nuk kemi, ky është vendi jonë dhe këtu do ta përfundojmë proçesin e do ta ndërtojmë të ardhmën.
Kjo rrugë që ne po e ndërtojmë sot e dhetë vjet më parë është e larë me gjak, e ju e dini që gjakut të derdhur të shqiptarit i bie dielli e nuk e than, i bie shiu dhe nuk e lan sepse ky gjak po flet shqip nga Likova gjer në Strugë, ky gjak spo njeh kufijë me Shqipërinë dhe Kosovën, ky gjak do të na bashkojë të gjithëve në Bruksel, ky gjak po ndërton dijetarët e ardhshëm nga Kumanova në Dibër, ky gjak po valon ne flamujt kombëtar poashtu nga Likova gjer në Strugë.
Qeveritë shkojnë e vijnë dhe politikat qeverisësë mund të ndryshojnë, njerëzit, edhe ata një ditë largohen, por ashtu si nuk shlyhen gjurmët e gjakut, nuk mund të shlyhen as gjurmët e një dekade të BDIsë si:
Ndryshimi i Kushtetutës
Përfaqësimi i drejtë dhe adekuat
Ndarja teritoriale
Flamuri Kombëtar
Zyrtarizimi i Univerzitetit të Tetovës
Skënderbeu në qendër të Shkupit
Fjala shqipe në Parlament
Muzeu i Alfabetit dhe Muzeu i Lirisë
Shtatoret e Pjetër Bogdanit, Josif Bagerit, Hasan Prishtinës dhe Nexhati Agollit.
Amnestia për ushtarët e UÇKsë
Fakultete shqipe në Strugë, Dibër, Kërçovë, Gostivar, tetovë, Kumanovë dhe Shkup
Vendosjën e demokracisë së vërtet
Prodhim i vlerave të mirëfillta dhe promovim i shprehjes së fjalës së lirë dhe lirisë së mediave elektronike dhe të shtypura
Promovimin e frymës Euroatlantike në vend
Njohjen e Kosovës
Demarkacionin e Kufirit me Kosovën
Rrënimin e kufirit me Shqipërinë
Liberalizimin e vizave dhe marrjen e statusit vend kandidat për BE
A i kemi bërë të gjitha? Sigurisht se jo. A kemi bërë gabime, sigurisht se po.
Ai që punon, edhe gabon, por ama, drejtimi i rrugës tonë të përbashkët është i pandryshueshëm dhe mbështetja e popullit shqiptar në 10 vitet e fundit dëshmon se themelin e kemi të fuqishëm sepse gurthemeli është vendos me nijet të pastër.
Kjo rrugë, do të ishte e pamunduar pa ndihmën e pakursyer dhe partneritetin tone me miqtë tanë ndërkombëtar me të cilët e ndajmë çdo sukses të Bashkimit Demokratik për Integrim dhe të Maqedonisë, me çrast u shprehim mirënjohje të thellë dhe falëminderim.
Gjithashtu mirënjohja jonë e pafund i dedikohet votuesve tanë dhe qytetarëve shqiptar që gjithëmonë demonostrojnë vlera të larta demokratike dhe përkrhje për urtësinë dhe bardhësinë e veprimeve tona.
Falëmnderim dhe mirënjohje e madhe, në emër të të gjithë neve, i shkon ushtarëve të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, dëshmorëve dhe invalidëve të luftës, familjeve të tyre, të gjithë funskionarëve të Bashkimit Demokratik për Integrim ndër vite dhe së fundi, familjeve tona që kanë qëndruar pranë nesh në moment të vështira dhe na kanë mbështetur në përpjekjet për të realizuar idealet tona.
Miq,
Të nderuar vëllezër dhe motra,
Zoti na ndihmoftë që të dalim faqëbardhe dhe të jemi përgjithëmonë bashkë































Më të komentuarat