Të tjerë

 

Njė kapitull i veēantė

Prishtinë, (Mehmet Bislimi) 17 Nëntor 2011 10:09

Thėnia: “Nėse fėmija nuk qan, e ėma nuk i jep gji!”, si pėr ironi tė fatit, na doli krejt e saktė, madje mė shumė se njė herė. Kam shfletuar literaturė gjithfarėshe ( pėr aq sa kam mundur tė kem qasje), e cila i referohet periudhės sė pėrmendur, pra “Lėvizjes Kaēake”, dhe, natyrisht, personazhi Bislim Luti- apo Bislim Lutfia, mė ka zgjuar interesim ca mė tė veēantė, prandaj edhe ky kapitull i kushtohet freskimit tė kujtesės pėr rikujtimin e veprimtarisė sė tij solide nė shėrbim tė atdheut. Ky personazh ėshtė ca mė i veēantė, mendoj unė, i takon fjalės sė thėnė me guxim e saktėsi, e cila nuk i hyn nė hak ballit tė oxhakut ku uleshin qė moti burrat e shqipes. Emri i Lutės shtjellon shtrirjen nėpėr kohė tė lozes sė Prekė Kuēit.

Thënia: “Nëse fëmija nuk qan, e ëma nuk i jep gji!”, si për ironi të fatit, na doli krejt e saktë, madje më shumë se një herë. Kam shfletuar literaturë gjithfarëshe ( për aq sa kam mundur të kem qasje), e cila i referohet periudhës së përmendur, pra “Lëvizjes Kaçake”, dhe, natyrisht, personazhi Bislim Luti- apo Bislim Lutfia, më ka zgjuar interesim ca më të veçantë, prandaj edhe ky kapitull i kushtohet freskimit të kujtesës për rikujtimin e veprimtarisë së tij solide në shërbim të atdheut. Ky personazh është ca më i veçantë, mendoj unë, i takon fjalës së thënë me guxim e saktësi, e cila nuk i hyn në hak ballit të oxhakut ku uleshin që moti burrat e shqipes. Emri i Lutës shtjellon shtrirjen nëpër kohë të lozes së Prekë Kuçit.

Loza e Lutfi Veshkuqit - siç e quanin atëbotë

Rrjedha e lumit dhe rrjedha e jetës nuk ndalen, kështu ndër vite u shtua dhe shtri loza e Prekë Kuçit- sot Prekazi, fshat ky që me krenari mbanë emrin e Prekës, ka me se të krenohet, pasi që loza e Prekës ka qenë dhe mbeti një lozë që nuk u shua, që nuk u thye, që nuk u nënshtrua, që mbijetoi ndër shekuj mbi peshën e rëndë të robërisë, që kombit i dha trima e burra bujarë, që historisë kurrë nuk ia nxiu faqen e saj të ndritur, që kombit i dha aq shumë.

Meshkujt e Prekës, si: Murat Jashari i parë, Bejtë Galica, Ahmet Delia, Lutfi Veshshkuqi, Azem Bejta, Mursel Ahmeti, Emin e Mehë Lati, Bislim Luti, Bajram Zena, Ali e Bislim Shasivar Alia - Kodra, Bislim Lushtaku, Nebih, Tahir e Beqir Meha, Shaban, Hamëz dhe Adem Jashari, Ilaz Kodra e dhjetëra tjerë, që ishin dhe mbeten emblema jonë kombëtare, faqja më e ndritur e atdheut, ishin burrat e motit që ia ndritën faqen Shqipnisë, ishin bijtë e Prekës së madh - kërthiza e atdheut!

Gjurmojmë nëpër kohë... Prekë Kuçi ishte lodhur e plakur, natyrisht se duhej ta dorëzonte mandatin për të gjallë të vet. Meshkujt e lozes së vet (vëllezër e djem) i udhëzoi që të shpërndaheshin dhe të gjallëronin jetën edhe në fshatrat e tjera për rreth Prekazit, si: në Galicë, në Ternac, në Abri, madje edhe në rrethinat e Pejës.

Këtu e shekuj më herët, në rrethinat e Pejës kishte shkuar Luta, pasi që ishte punëtor i madh, dhe ia kishte ënda shumë që tokën mëmë mos ta linte djerrë, t’ia jepte hakun asaj dhe nga toka të kërkonte hakun e djersës së vet! Në të vërtetë Lutogllava e sotme, i përket pikërisht rrënjës së Prekës, vëllai i tij, Luta, ishte vendosur në ato anë për t’i dhënë jetë lozes së vet. Duke qenë se i vëllai i Prekës (Luta) i kishte “ikur” më larg, Preka urdhëroi që mashkulli i parë që do të vinte në jetë në konakun e tij të pagëzohej me emrin e Lutës, në mënyrë që sadopak të përmbushte boshllëkun e dhimbjes që po e ndiente për mungesën e të vëllait!

Kjo dëshirë Prekë Kuçit iu realizua për të gjallë të tij. Luta i ri që erdhi në jetë në Prekazin e Prekës u burrërua, u martua dhe shtoi rrënjën e vet në vazhdimësi.

Është me interes të cekim se kur shkoi Luta në Lutogllavë, duke mos dashur që ta humbë mbiemrin e vet Kuçi, e ruajti atë, dhe Lutjanët në vazhdimësi, e trashëguan mbiemrin Kuçi ndër vite e shekuj, mbiemër ky që edhe sot pasardhësit e tij të cilët jetojnë në Lutogllavë të Pejës e mbajnë me krenari. Pra, loza e Prekë Kuçit nëpërmjet vëllait të tij (Lutës) sot gjallëron dhe frymon në Lutogllavë, ndërkaq Preka në Prekaz la emrin dhe lozën e vet krenare.

Në Prekaz nuk ka asnjë banor që mbanë mbiemrin Kuçi, të tërë janë të lidhur me Prekën- Prekazin, që e mbajnë me krenari. Në mbamendjen tonë, të trashëguar nga stërgjyshërit e lashtë, kjo lozë vazhdon me një Lazrin e Zefin, pastaj pason represioni i Perandorisë Osmane, dhe ky Zefi konvertohet në Zeqë, pastaj vjen në jetë Zeqiri, dhe nga Lazër më pas në Hazër- e Hazir-i, pastaj Luta i vjetër, prapë Haziri dhe brez pas brezi deri te Luta i ri- përkatësisht gjenerata e katërtë e brezit tim sot. Pra, stërgjyshi im i lashtë Luta, i cili quhej, ose më mirë të themi e thërrisnin: Lutfi Veshkuqi.

Kështu e thërrisnin për shkak se kishte marrë pjesë në djegien e Hamidisë së Sarajit më 1891, që e kishte ngritur Xhelil Pasha i Vushtrrisë në mes të trekëmbëshit Prekaz – Polac - Llaushë. Në këtë përleshje kundër hordhive turke, të cilën e kishte organizuar Ahmet Delia, Luta kishte pësuar një goditje me shpatë a anxhare në veshin e majtë, i cili edhe pas shërimit i kishte mbetur me një ngjyrë dukshëm të kuqe, prandaj filluan ta thërrisnin Lutfi Veshkuqi. Por, epiteti “Veshkuqi”, mund të ketë për bazë edhe nostalgjinë për mbiemrin e vet të parë Kuçi, të cilin këta në Prekaz nuk e kishin trashëguar. Nga rrënja e Hazirit, Zeqirit e Nezirit...( prej nga mban emrin lagjja e Veshkuqit), kishin ardhur në jetë tre vëllezër. Më i madhi nga ta ishte Lutfi Veshkuqi. Pra Lutfia, pastaj Hamiti dhe më i vogli Velia. Ata ishin punëtorë të mirë, me begati e bereqet të bollshëm, njerëz të urtë e bujar. Lutfiu ishte njeri i fjalës, dhe fjalën e dhënë nuk e kthente mbrapsht. Kjo si duket edhe i kushtoi atij me jetë - e vranë tinëzarët nga pusia dhe prapa shpinës, vëllezërit Imeri, të cilët në atë kohë ishin zabit të Mbretit dhe më vonë ishin rekrutura si çaushë të Krajlit!...

I biri i Veliut, Brahimi, nuk e la për ahiret gjakun e mixhës së vet, vrau njërin nga vëllezërit Imeri- pa dyshim se kësaj edhe sot nuk i vjen erë e mirë, i vjen erë hakmarrjeje, që i shkonte përshtati vetëm pushtuesve tanë shekullorë. Mirëpo koha ishte e tillë, kur Kanuni bënte ligjin, dhe kjo popullit shqiptarë i ka kushtuar shumë. Veshkuqi ishte mik me Deli Plakun e Radishevës, si rrjedhojë edhe i biri i tij, Bislimi, ishte mik dhe bashkëluftëtar me Mehmetin e Vogël, dhe këtë miqësi e vazhdoi edhe sot brezi i tretë e i katërt i kësaj loze.

Veshkuqi, pas vete la tre djem: Bislimin, Hazirin dhe Halitin, të cilët u rritën me përkujdesje të veçantë të xhaxhallarëve të tyre. Dy të parët u martuan dhe filluan jetën e re, ndërkaq Haliti vdiq fare i ri. Ishte kohë e ligë për ne shqiptarët. Menjëherë pas Lidhjes së Prizrenit, e ca më vonë, Serbia kishte filluar represionin kundër shqiptarëve në përgjithësi- në veçanti kundër atyre që nuk ishin jolojalë me Krajlin e Serbisë. Pas denoncimit që kishte bërë hafija Sinan Bajrami, së në konakun e Veshkuqit, përkatësisht te i biri i tij - Bislimit, po strehoheshin komitet e malit, xhandarët e serbisë, menjëherë rrethojnë shtëpinë, dhe e arrestojnë Halitin e ri, duke dashur që nga ai të mësojnë më shumë se kush nga komitët hyn e del aty?!

Ata ushtrojnë aq shumë dhunë mbi Halitin e ri, që kishte një shtat sa një lis, saqë ai nuk e mori veten kurrë më. Nga torturat që i bënë xhandarët serbë (i denoncuar nga Sinan Bajrami), Haliti i ri vdes pas gjashtë javësh, i mbështjellë me lëkurë ogiçi!...

Haziri, që ishte më i ri nga Bislimi, u mor kryesisht me ndërtimtari, ishte shtyllë e shtëpisë dhe përkujdesej shumë për familjen. Fjala e tij zinte vend në kuvende e pajtime, si të thuash urtësinë e kishte trashëguar më shume nga ana humanitare e Lutfi Veshkuqit, ishte i zgjuar dhe gjërat i peshonte nëpërmjet këndvështrimit filozofik. Kishte një memorie interesante dhe mbante mend shumë ngjarje, ishte edhe krijues e mbledhës folklori e anekdotash, shumë prej të cilave nga ai i kishte vjelë vetë Anton Çetta, i cili në konakun e Hazirti Lutit kishte fjetur me ditë të tera.

Bislim Lutfiu

në rini kishte përjetuar shumë gjëra të tmerrshme nga pushuesi serb, prandaj nuk do të ndalej së vepruari, në mënyrë që sadopak të shpaguante atë që kishte pësuar nga ai pushtet. Ai kishte dalë në mal me shokët e Lëvizjes. Siç u mor vesh, më herët ia kishin vrarë të atin. Në kohën kur ra Azem Bejta dhe Zona e Lirë e Arbërisë së Vogël, xhandarmëria serbe kishte marrë një fushatë të egër kundër familjeve që kishin strehuar dhe që ishin rreshtuar përkrah luftëtarëve të lirisë. Ata kishin rrethuar shtëpinë e Bislimit dhe e kishin zënë atë në befasi, e kishin lidhur, ia kishin djegur shtëpinë dhe ia kishin vrarë të ëmën Hanifen, e cila ishte bijë e Vitakut. Në stallën e tij kishin gjetur të dy atllarët e Azem Bejtës që Bislimi i kishte strehuar, për të mos rënë në duart e xhandarëve serbë.

Bislimi Luti, si të thuash, ishte më shumë i rrëmbyeshëm, nuk i bëhej vonë dhe s’e bënte qejfin qeder pse prishte hesapet me Krajlin e Serbisë! Nuk hezitonte që të konfrontohej me xhandarmërinë serbe, ishte i gatshëm për bashkëpunim me shokët, ishte njeri i rrufeshëm si vetëtima, ishte njeri i natës, njeri i aksioneve të furishme që i fuste tmerrin xhandarëve dhe bashkëpunëtorëve të tyre. Ai së bashku me bashkëluftëtarët e tij sulmonte hordhitë e serbit, zakonisht mes rrugës që shpinte nga Peja në Mitrovicë, si: në Rraposh, në Runik, në Përrua të Dreqollit, në Përrua të Keq, në Vajtesh e deri në Brabaniq, kështu që xhandarët serbë natën e kishin të vështirë të lëviznin pa pësuar dëme nga Bislim Luti, Mehmeti i Vogël, dhe Dan Deroci e nga luftëtarë të tjerë.

Ai, kur sulmonte xhandarët natën, i shpartallonte dhe ç’orjentonte ata, ua rrëmbente kuajt, të cilët më pastaj ua dërgonte shokëve të vet - luftëtarëve të lirisë, duke iu thënë:

“ Ju kami sjellë atllarë të xhandarmërisë, në mënyrë qe të mos ecni këmbë, mor burra, se fundi i fundit, këta atllarë i janë grabitur popullatës sonë, nuk i kanë sjellë ata nga Serbia!”. Azem Bejta, herë pas herë e qortonte Bislimin, - tregonte Bajram Zena, duke i thënë që të mos sulmonte xhandarët pa urdhër të lëvizjes, por shpesh edhe i thoshte:

“Bislim Luti, ik e bane ndonjë nam se kemi luftëtarë që mbeten tërë jetën këmbësorë!”- dhe plaste gazi ndër luftëtarë.

Bislim Lutit i kishte shkuar zëri deri në Demir Kapi, që ishte si zonë kufitare midis Perandorisë Osmane dhe Serbisë së atëhershme, që shtrihej luginës së Vardarit, atje ku dikur ishte Xhymrykhanja e Osmanëve për ato anë. Kjo luginë që shtrihej në mes të dy majave të thikta të fuste frikën ditën, e lërë më natën, ishte pikë ku nuk kalohej dot pa iu nënshtruar kontrollit të rreptë të rojave të shumta që ishin atje.

Bislim Luti me shokë kishte sulmuar edhe zonat përreth Demir Kapisë, duke lënë pa fjalë Krajlin e Serbisë. Ai kishte sulmuar një grup xhandarësh atje dhe ua kishte marrë disa atllarë, municione e armatime të tjera, mu në territorin e Demirë Kapisë(!), kjo nuk i kishte ndodhur serbisë së asaj kohe, as më herët e as më vonë!, prandaj me rastin e arrestimit të tij, nuk ishte edhe rastësi transferimi i tij nga burgun i Mitrovicës në atë të Idrizovës!

Atij i kishte dalë kënga që atje:

... “Gde se skriva Bislim Lutfia,

trazhi ga Demir Kapija!”...

( Zot ku fshihet Bislim Lutfia, po e kërkon Demir Kapija! )

Ishte fundvjeshta e viti 1924, kur Bislimin e arrestuan. Ai la të shoqen Hajrien, si të thuash nuse të re e cila ishte bijë e Xhemailve të Koshtovës, si dhe tre djem: Tahirin 15 vjeç, Nezirin 12 vjeç dhe Lutën e vogël vetëm 9 vjeç, të cilët mbeten nën përkujdesjen e axhës së tyre Hazirit. Pas disa kohesh Bislimi kishte provuar të arratisej nga burgu i Idrizovës, kishte thyer murin dhe kishte arritur të dalë deri në oborr të burgut! Dhe nuk kishte se si të ndodhte ndryshe, Bislimin nuk e mbanin dot brenda muret e kalasë me bedena! Ai me një sfurk në dorë ishte barrikaduar në oborrin e një shtëpie në afërsi të burgut, prandaj ishte dashur të intervenojë kryetari i rrethit, i cili kishte ardhur me pajton për t’ia dhënë besën Bislim Lutit, pinjollit të Prekë Kuçit, që të dorëzohej se nuk do ta ngacmonte njeri!... Si duket pas këtij akti, Bislimin e trajtojnë veçantë me mjetet e kohës, duke ia shkurtuar jetën me torturë. E lirojnë pak pa mbaruar dënimin, diku në pjesën e dytë të vitit 1927 dhe pas gjashtë muajve, në një gjendje tepër të rëndë shëndetësore, vdes në agoni të thellë... dikush thoshte se e kishin helmuar, dikush se e kishte marrë tifon, mjek nuk kishte atë kohë që të kujdesej për te, dhe të merrte vdekja së bashku me enigmën e saj! Një gjë është e sigurt: Bislim Luti vdiq në moshën 43-vjeçare nga pasojat e torturave që i kishin bërë mbi të në burgun e Idrizovës!

Në varrimin e tij kishin marrë pjesë shumë nga shokët dhe bashkëluftëtarët e tij, në mesin e tyre edhe Shak Kabashi nga Polaci, i cili duke i dhënë lamtumirën e fundit, kishte thënë : “Bislim Lut, nuk ban ma nana!”...

Dashuria për vëllain!

Me dhjetëra herë e kam dëgjuar Hazirin (të vëllain e Bislimit, i cili ka jetuar deri në vitet e tetëdhjeta), se si nga Prekazi, në këmbë, me trastën mbi supe, ka shkuar deri në Idrizovë, konak pas konaku për ta vizituar të vëllain e tij, që po vuante dënimin atje. Ai i mbante mend një për një konakët që kishte bërë deri në Idrizovë, që nga Prekazi në Lutogllavë, tek pasardhësit e Prekës - vëllezërit e gjakut, pastaj në kullën e Avdyl Hoxhës në Junik e më pas në Prizren te rrënja e Ymer Prizrenit, maleve të Sharrit matanë e në Maqedoni, e herë-herë edhe nga stacioni i Tasianit - siç i thoshte ai ( Lipjanit të sotëm), me tren deri në Shkup për t’i dërguar të vëllait erën e bukës së ngrohtë, që kishte gatuar në Prekaz së bashku me dashurinë e të shoqes dhe të fëmijëve të tij që po e prisnin e po rriteshin në mungesë të babait, mbi të gjitha për t’i treguar pushtuesit se Bislim Luti nga Prekazi nuk është i vetëm, ai ka farefisin, vëllezërit dhe bijtë e vet mbrapa - edhe prapa diellit po ta dërgoni: ai nuk do të jetë i vetëm dhe i braktisur asnjëherë!...

“Kur Bislimi u lirua nga burgu,- tregonin më vonë të bijtë Tahiri e Lutfiu, -ishte mesi i verës, ai po zbriste Qestave tatpjetë, ne ishim përballë në arat e Fejzës. Na thirri me sa zë pati: Ooo Tahir, ooo Lutë... neve na u ndal fryma nga vrapi deri sa iu hodhëm në përqafim!”... u ulëm tek lisat e gjatë të mrizeve, dhe ai mori frymë thellë, duke e liruar dufin e një malli sa një mal me borë që iu kishte mbledhur në gjoks... kaluam nga Lisi i Ramës, vuri buzët në grykën e Kroi të Bahçes, dhe nuk po ngopej dot, duke e ndier peshën e ujit të vendlindjes që po i çelte gjoksin, lagu fytyrën, qafën, gjoksin dhe u ngjitem përpjetë Zabelit të Hamiti... kur u afruam te porta e shtëpisë, nëna e shkretë na doli përpara, na përqafoi që të treve, dhe sikur iu këputen gjunjët, nuk bënte dot përpara!... Nuk zgjati shumë, ai u sëmur, mbase i sëmurë kishte dalë nga burgu, por ne nuk e kishim vënë re ato ditë. Shpeshherë e merrte martinën në dorë, dhe nga frëngjitë e kullës shënonte laraskat që uleshin në maje të plepit, i epte martinës zjarr dhe thoshte me sa zë kishte: “ Oooo, na rrethuan shkjet, moreee!”... Nuk vonoi shumë, me gjasë pas gjashtë muaj që doli nga burgu, vdiq në një agoni të thellë!?”.

Më vonë rrugën e tij kishin ndjekur edhe bijtë, nipat dhe stërnipat e tij, Tahiri me shokë, si me: Iliaz Halimin, Jetulla Rexhën, Ali Fazliun, Hamëz Miftarin e të tjerë, kishin sulmuar “Stanicën” e xhandarmërisë në Prelloc, ku kishin vrarë 13 xhandarë dhe e kishin djegur me themel atë stacion famëkeq. Ata me dhjetëra herë kishin ndjekur forcat çetnike e hajdutët serbë deri në grykat e Drethit e të Kolashinit. Është më rëndësi të shënohet: mbase vetëm ata që kanë përjetuar këto rrugë e kuptojnë këtë më së miri, në të vërtetë thonë:

”Nëse historia harrohet, ajo përsëritet!” Xhandarët serbë më 1924 kishin vrarë nënën e Bislimit, Hanifen, në oborrin e shtëpisë së tij, kishin djegur shtëpinë e tij dhe e kishin burgosur atë. Po këta xhandarë të kamufluar si partizanë më vonë, me 1945, kishin djegur shtëpinë e të bijve të Bislimit dhe po atë vit për pak kishte shpëtuar të mos dërgohet në Tivar i biri Lutfiu. Më 1999 xhandarët e Miloshit i dogjën të gjitha shtëpitë e lozes së Bislim Lutit, vranë dhe masakruan stërmbesën e tij, Fetijen 32-vjeçare!...

Pushteti Serb, në kohë të ndryshme, kishin burgosur shumicën e meshkujve si nga loza e Hazirit, ashtu edhe nga loza e Bislimit, të cilët kanë vuajtur dënime të rënda nëpër burgjet e Serbisë, që nga Idrizova e Sremi, nga Nishi e CZ-ia, nga Staragradishka e Spuzhi, nga Pozharevci e Mitrovica, Prishtina etj. Nuk e ka thënë kot plaku i Vlorës:

”Kush ka vuajtur më shumë se shqiptari për liri, dhe kush e meriton lirinë më shumë se ne shqiptarët!”...

Për këtë kapitull të veçantë kam gjurmuar shumë, dhe në mungesë të informacionit për ta plotësuar atë me të dhëna faktike, kam provuar që nëpërmjet mikut tim Xhevat Ademit (zyrtar i lartë i BDI-së në Maqedoni) të depërtoj edhe në burgun famëkeq të Idrizoves, për të arritur tek dosjet e vitit 1924-1927, ku do të gjeja shënimet për Bislim Lutfiun, por ishte e pamundur, unë e Xhevati ishim të pafuqishëm për të depërtuar aq thellë!? Duhej leje e veçantë, marrëveshje e veçantë, dhe vetëm pastaj të gjurmohej: nëse janë dhe ku mund të jenë sot ato dosje të asaj kohe, që i thonë gati këtu e 85 vjet më parë?!

Jam munduar të gjurmoj nga shumë këndvështrime, edhe nga ato historike, subjekt i të cilave janë këto ndodhi. Në të vërtetë imagjinata nuk mund të pjellë realitetin, janë ngjarjet reale që kanë ndodhur të cilat kalojnë edhe përtej kufijve të imagjinatës.

Kam gërmuar edhe nën tokë, për të hedhur në dritë dhe fakte të pamohueshme historike, për bëmat e këtyre burrave të rëndomtë, me qëllimin e vetëm human, sublim e njerëzor: për peripecitë e tyre, në mënyrë që ato të mos i mbulojë harresa - këtë mëkat koha nuk do të na e falte kurrë!

*Mendimet e botuara në rubrikën "Opinione" nuk shprehin qëndrimet e KosovaPress-it. Kjo faqe është e hapur për lexuesit. Opinionet mund të dërgohen në info@kosovapress.com.

 


Më të komentuarat