Të tjerë

 

Fatmir Limaj akuzohet mbi bazėn e dėshmitarėve tė yshtur!

(Mehmet Bislimi) 30 Shtator 2011 22:47

Nė gjithė kėtė mjegullnajė tė paparė qė po sillet nė hapėsirat e Kosovės, Fatmir Limaj, sot e dje, ishte dhe ėshtė personalitet qė me qėndrimin e tij prej atdhetari, edhe nė kohėt mė tė rėnda, mori shtruar nė duart e veta rrugėn e jetės.

Në gjithë këtë mjegullnajë të paparë që po sillet në hapësirat e Kosovës, Fatmir Limaj, sot e dje, ishte dhe është personalitet që me qëndrimin e tij prej atdhetari, edhe në kohët më të rënda, mori shtruar në duart e veta rrugën e jetës. Fatmirin nuk e mbajti dot në kthetrat e veta as luksi i jetës së Perëndimit, ai qysh në themelimin e bërthamave të para të UÇK-së me shembullin personal tregoi se ishte i përkushtuar për çështjen e pazgjidhur të atdheut, prandaj erdhi dhe vuri kokën në prehrin e Kosovës, duke ia lënë asaj në dispozicion edhe jetën e vet!... Pa më të voglin dyshim, të gjithë atyre që ishin në frontin e luftës, askush nuk ua kishte garantuar jetën, po të interpretonim ndryshe do të bënim mëkat të pafalshëm para robit e Zotit! Në luftë, nga çasti në çast mund të jesh, por njëkohësisht edhe mund të mos jesh në mesin e të gjallëve, dhe kaq, një atdhetar i devotshëm nuk ka çka i fal atdheut më shumë se jetën e vet! Tani është krejt diçka tjetër, se ata shpëtuan nga zjarri i luftës, se ata duhet të jetojnë, se ata duhet bashkërendojnë me të tjerët në poret e jetës, kush i ngarkuar më shumë me përgjegjësi shoqërore e kush më pak.

Edhe Fatmiri, si qindra luftëtarë tjerë, me shembullin e tij Kosovës i tha: “Ta kam falur gjakun tim!”, dhe kaq, më shumë nuk e di se çka ka për t’i dhënë njeriu atdheut të vet- veç jetës së vet., e këtë nuk mund ta bëjë secili, por e bënë bijtë tanë, ndaj të cilëve sot po luhen komedi tragjikomike, duke eksperimentuar me “provat” e dëshmitarëve të yshtur, deri në ngritjen e akuzave nga UNMIK-u (sipas të dhënave nga prokuroritë serbe), në vazhdim edhe nga strukturat e EULEX-it., duke shkelur rëndë mbi ligjin dhe drejtësinë në mënyrën më të paskrupullt e më të padëgjuar: aktakuzë, paraburgim dhe arrest shtëpiak, mbi bazën e dëshmitarëve të yshtur me privilegje e beneficione të ndryshme, deri te strehimi i tyre në ndonjërin nga shtetet e Perëndimit, nën pretekstin e mbrojtjes së tyre(!) – jo vetëm kaq, njëkohësisht ndaj këtyre dëshmitarëve edhe ushtrohet dhunë e kërcënime, pa dyshim edhe presion psikik, deri në vënien e tyre me shpatulla për muri, ku ata detyrohen të ballafaqohen me ndërgjegjen e vet në rend të parë, pastaj të fëmijëve dhe të familjeve të tyre, të rrethit dhe të miqve, dhe kjo është shumë e rëndë, nuk ka më e rëndë se të ndihesh i vrarë në shpirt, për shkakun e thjeshtë se tjetrit ia ke bërë gropën me një dëshmi të shpifur, e që nga kjo dëshmi tjetri do të kaloi prapa grilave 10, 20 apo më shumë vite burg! A ka diçka më të rëndë për burrin se sa të bësh dëshmi të rrejshme e ta marrësh tjetrin në qafë! Ata lanë përjetë ndërgjegjen e tyre në hipotekë.

Ç’është e vërteta, një pjesë të tyre, prokurorët dhe hetuesit ndërkombëtarë i kanë vënë para aktit të kryer: të jesh o të mos jesh?! Para së gjithash, këta dëshmitarë, janë të shantazhuar, të linçuar dhe të detyruar të zgjedhin midis burgut e lirisë ose midis jetës e vdekjes - siç ishin disa raste (rasti i fundit i Shefqet Kabashit), tani më i rëndi, fundi vetflijues i dëshmitarit Zogaj! Por nuk janë të paktë edhe ata dëshmitarë me pasoja psikike e simptoma skizofrenie siç është rasti Bllaca, të cilët me çdo kusht duan të hakmerren- thjeshtë për përfitime personale dhe inate bizare, aq më të çuditshme bëhen hetuesitë e EULEK-sit, të cilët këto dëshmi i kanë mbështetur pikërisht mbi këta dëshmitarë të dyshim të cilët për të fituar “statusin” e dëshmitarit të mbrojtur (duke i ditur benificionet), janë në gjendje që ta spiunojnë edhe nënën e vet!

Peripecitë e jetës së Fatmirit dhe qëndrimi burrëror i një personalitetit në kohë kaq të rënda për fatin kolektiv dhe individual të popullit tonë, flasim më shumë seç mendojmë ne, duke u futur thellë në lëkurën e tij, të shokëve dhe të bashkëluftëtarëve të tij, pa dyshim edhe të pushtetarëve tanë - shokë dhe bashkëluftëtarë të zotit Limaj, si: zotit Thaçi, Krasniqi e dhjetëra të tjerë. Zoti Limaj përjetoi luftën, burgosjen e të vëllait Demirit, në kohët më të liga për fatin e kombit tonë, dërgimin e tij në Gjykatën e Hagës, vdekjen e babait, të nënës dhe më në fund të bashkëshortes së tij besnike dhe burrëreshë e tani, edhe një herë, sikur nuk mjaftoi e gjitha kjo, arrestim shtëpiak dhe pretendime që ta burgosin prapë!? Prandaj, dorën në zemër paraqitjet e tij herë pas herë me nuanca emotive, pa dyshim se përkojnë tej për tej me këtë gjendje katrahure. Ç’është e vërteta tani po del sheshit fjala e atij prokurorit, i cili më parë kishte thënë: “ Fatmir Limën e dua në burg me çdo kusht!”.... Kjo nuk do shpjegim më të madh!

Personazhi tragjik Limaj, në këtë rast duhet të luajë dy role njëkohësisht, të cilat të shpijnë pa më të voglin dyshim në të dyja skajet e mundshme ekstreme: ai i qëndrimit brilant të burrit përballë gjithë këtyre britmave e çjerrjeve histerike, gjoja për të dënuar krimin, dhe ai i personazhit tragjik, i cili mbi kurrizin e vet padrejtësisht dhe tmerrësisht duhet të durojë pikërisht këtë damkë të ligë që po ushtrohet mbi personalitetin e tij dhe të familjes së tij.

Mes enigmës së pazbërthyer në gjithë dimensionin e saj, çështja e dëshmitarëve të yshtur dhe të kërcënuar, në të dyja rastet sprova këto mbi të cilat dikur ish-pushteti jugosllav dënoi me qindra mijë atdhedashës shqiptarë, është krejt logjike të shtrohet pyetja: A ka ndodhur kund në botë që luftëtarët e lirisë të ndiqen me ligjet e pushtuesit, kundër të cilit ata kanë luftuar dhe janë përgjakur për lirinë e popullit të vet?!

Fatmiri me veprimtarinë e vet atdhetare, humane e udhëheqëse, me kontributin e vet personal nuk e kishte pikësynimin për të lënë gjurmët e tij të mëdha - jo, ai para së gjithash deshi që Kosovës dhe kombit mbarë t’i linte shembullin e një njeriu të thjeshtë, i cili nuk trembet nga jeta dhe peripecitë e saj, si në kohët e mira, ashtu edhe në ato të liga që kishin kapluar qiellin tonë. Ai, për aq sa mundi të bënte për ne, e bëri, madje me vështirësi e sakrifica të mëdha. Shtrohet pyetja (duke i parë reagimet e pamatura të nuancave të ndryshme): Sikur “Fatmir Limaj të binte në Altarin e lirisë!?”... Eh, sa ceremoni përkujtimore do të mbaheshin për te, sa lëvdata, sa lapidarë, sa e sa krekosje se kush do t’i dilte i pari bashkideator, i pari bashkëluftëtar dhe i pari bashkëpunëtor! Këtë dëshmor të madh do ta vinim në ballë të oxhakut, në ballë të odave, në ballë të institucioneve, në ballë të gazetave etj. Prandaj, o njerëz të mirë, logjikoni dhe shprehuni arsyeshëm. Fatmiri e ka thënë hapur, madje më se një herë: “Para ligjit e Zotit përgjigjem vetë, madje në çdo kohë!”...

Prandaj, sa të pështira po aq naive janë edhe çu-çu-çu-të, se dikush nga shokët dhe bashkëluftëtarët e tij, tani po “fërkon duart!”. Jo, në as një rast, këto mbi të gjitha janë forma dhe metoda të ish UDB-së, të cilat, siç e thotë edhe vargu i Nolit të madh: “ Na e vranë e na e shanë, na i thanë tradhëtor!”, kjo pra ishte dhe mbeti metoda më e sofistikuar e atij pushteti që na burgoste, na vriste, na eliminonte dhe në fund na shpallte tradhtarë, e për habi kësaj teze i besonin edhe “disa” kërriç (shqiptarë!). Më së e vërtetë, nuk i gëzohet burgosjes së Ramushit, të Limajt e të tjerëve askush - të paktën jo ata që mendojnë e veprojnë shqip - aq më pak Thaçi, Krasniqi, Haliti e të tjerët, nuk janë aq naiv ata sa të mendojnë se pa shokë do të jetë më mirë, jo. Po të ishin aq naiv ata, nuk do të kishin arritur me mund e sakrificë deri këtu ku edhe është Kosova sot, e që në krahasim me dje, mendoi se është bërë shumë, pa dyshim në saje të luftëtarëve të lirisë, shumë prej të cilëve sot nuk janë në mesin tonë, pa dyshim se ka mbetur edhe shumë për t’u dëshiruar.

Për këtë, ata janë më së të vetëdijshëm. Jo, nuk i gëzohet as pozita dhe as opozita burgosjes së çlirimtarëve tanë, kësaj i gëzohen vetëm armiqtë tanë dhe veglat e tyre. Burgosja e tyre dëmton Kosovën para së gjithash, dëmton pozitën dhe opozitën, dëmton shoqërinë dhe procesin e zhvillimit tonë në përgjithësi. Akuzat që janë ngritur mbi ta nuk rëndojnë vetëm jetën dhe imazhin e tyre personal, por edhe jetën e imazhin tonë kolektiv. Ne kemi bërë një luftë çlirimtare dhe, natyrisht, me pushtuesin serb jemi vrarë e nuk jemi përqafuar!

Në vazhdim nuk e di si ta shpjegojmë, në praktikën e legjislativit juridik nuk e besoj se ka ndonjë shembull adekuat, të paktën as si analogji për të marrë si shembull: “ Se ka ndodhur edhe një herë!”. Gjykata Ndërkombëtare për Krime Lufte, në historinë e legjislativit të saj, nuk njeh edhe një rast, kur pas gjithë atyre seancave maratonike në të dy rastet (Haradinaj e Limaj), i shpalli ata të pafajshëm, duke i liruar nga akuzat e paqena që rëndonin mbi kurrizin e tyre e pastaj, nën trysninë e prokurorisë serbe, u nënshtrua, duke e mohuar verdiktin e pafajësisë që kishte dhënë vet, në të dy rastet, duke thënë : “Jo, ne po i biem pishman, dhe që të dy duhet të rigjykohen, ngase Serbia nuk ka mbetur e kënaqur me lirimin tyre nga pafajësia!”... Le ta shpjegojë dikush ndryshe? Si paska mundësi që një gjykatë ndërkombëtare e përbërë prej dhjetëra ekspertëve më të lartë të drejtësisë të vërë në sprovë gjykimin e vet, ta vërë në sprovë drejtësinë ndërkombëtare(?!) dhe pas gjithë kësaj a mund t’i besojmë më drejtësisë ndërkombëtare të Hagës?!

Përfundimisht, BE-ja as sot e gjithë ditën nuk gjeti kurajën që të lirohet nga ndikimi i politikës sovjetike dhe të carit të saj Putin. Para dy ditësh u mblodh KS-ë, dhe nuk mori asnjë vendim, përveç që dënoi dhunën!... Ata konstatuan se ka dhunë, dhe nëse nocioni dhunë ngërthen në vete vrasjen e policëve, siç ishte rasti i vrasjes së Enver Zymberit, plagosjen e katër policëve tjerë ndërkombëtarë, djegien e gjykatës, pikave doganore, bllokimit të rrugëve dhe jetës në atë anë etj., ku dëgjohen rafalët e mitralozave, kallashnikovëve, granatave pa ndërprerë, drejtuar kundër policisë ndërkombëtare dhe vendore, duke rrezikuar jetën e tyre në çdo çast!- nëse kjo na qenka dhunë, flini qetë pra, pasi që mbrëmë këtë dhunë e dënoi Këshilli i Sigurimit!

Një segment tjetër i paprecedent, mu në mes të Beogradit përfaqësuesi i diplomacisë ruse publikisht çirret: “A ka bërë nëna serbe ndonjë djalë që vdes për Kosovën?!”.

Asnjë zë, asnjë reagim(!). A ka diçka më skandaloze se kjo, të dëgjosh një diplomat duke kërkuar deri në çirrje histerike, që të derdhet gjaku, që të vriten njerëzit përsëri?!...

Gjithë kjo, e përmbledhur dhe e bërë shuk, si një leckë e pavlerë, po të bënim ne shqiptarët diçka të ngjashme- siç po bëjnë serbët përtej urës së Ibrit, të larë me gjak: ku për 12 vjet me radhë serbët e atjeshëm vranë e plagosën policë e civilë ndërkombëtarë e vendës, dogjën godina e gjykata, pika doganore, institucione, shtëpi, duke e penguar kështu jetën normale të Kosovës dhe të banorëve të saj, duke bllokuar rrugët e jetës, a thua çka do të ndodhte me ne? Po, edhe sikur Kosova të ishte e pranuar në OKB, me një mbledhje urgjente (që do të mbahej me atë rast), do ta na largonin nga Organizata e Kombeve të Bashkuara!

Të mbesim me shpresë – mbrëmë, Këshilli i Sigurimit e dënoi dhunën në veri! (Posi!?).

Mbahuni të fortë dhe të patundur Fatimr Limaj e Ramush Haradinaj, dhe të gjithë ju të tjerët që keni mundur një regjim gjakatar! Populli dhe e drejta është në anën tuaj! Institucionet e Kosovës duhet ta bëjnë punën e vet me përkushtim të madhe në shërbim të atdheut dhe në mbrojtje të bijve të saj e më gjerë.

*Mendimet e botuara në rubrikën "Opinione" nuk shprehin qëndrimet e KosovaPress-it. Kjo faqe është e hapur për lexuesit. Opinionet mund të dërgohen në info@kosovapress.com.

 


Më të komentuarat