Haki MORINA

 foto

Fizibiliteti, gazetat, njohje qė shihet

Prishtinë, (Haki Morina) 03 Mars 2012 06:33

Pas marrėveshjes me “fusnotė” tani kemi mundėsi tė jemi nėpėr disa konferenca qė nuk kishim mundėsi te ishim para saj. Kjo marrėveshje qė u arrit “brenda artit tė sė mundshmes” konfirmoi edhe njėherė se rruga e realizimit tė sovranitet shtetėror tė Kosovės ėshtė rrugė e gjatė dhe se “virusėt” me fusnota kėrkojnė tash e tutje “antivirusėt” debllokues tė cilėt hapin rrugė drejt qėllimeve themelore. Sigurisht qė kjo marrėveshje ishte njė stacion qė lejoi “sinjalin” pėr rrugėtimin ose fillimin e procesit tė “fizibilitetit”.

Duke qenë se politika jonë ka probleme të rënda me fenomenin e “vetnjohjes” dhe duke qenë se është e humbur në pyllin e paqartësisë, s’ka as idenë themelore si do ta gjejë rrugën e daljes. E humbur në mjegull, së pari ka nevojë të dijë ku është, pra ta kuptojë që është në xhungël e jo në livadh apo në autostradë, pra ta bëjë “fizibilitetin” për të gjetur pastaj daljen, të kërkoj busullën e orientimit.

“Raporti i Progresit” është një mundësi e gatshme për të studiuar në mënyrë të përgjithshme dhe të veçantë të vërtetën, është mundësi e mirë për të parë në pasqyre vetveten, për të diagonstifikuar gjendjen e sëmurë në fushën politike, ekonomike, administrative dhe juridike…

Por, për të filluar këtë studim sigurisht që duhet nisur nga kokat tona të pareformuara. Dihet që shtypi apo publicistika (teoria) është e para që duhet të jap idetë për mënyrat e përparimit drejt së ardhmes. Fatkeqësisht “motori” i demokracise, dmth media, ka defekte serioze, pa riparimin e të cilës veshtirë se do të shkurtohet distanca mes nesh dhe filozofisë perëndimore të ndërtimit të shtetit funksional. Në këtë rast unë do të merrja një shembull, më të fundit që pata mundësi t’a përjetoja direkt, e që ka të bëj me “profesionin” tim prej publicisti, për të “paralajmëruar” vështirësitë e mëdha që do të dalin për të kapërcyer këtë fazë ofrimi me Evropën, që quhet “fizibilitet”. Gazeta "Epoka e re" kujton që Hashim Thaqi (kryeministri) dhe Kadri Veseli (ish shefi i SHIK) e marrin inat nëse ma boton shkrimin tim të fundit. Nuk është thjeshte puna tek “Epoka e Re” apo tek “Lajm” proqeveritar. Një gjendje e tillë është edhe tek gazetat “opozitare” të cilat kanë frikë nga “sponzoret” e tyre.

Bile, në raport me gazetat proqeveritare, të cilat nganjëhere lejojnë edhe kritika, gazetat opozitare të kryqëzojnë me intolerancën e tyre komuniste, në rast se merr guximin t'i kritikosh paanshmërisht. Kjo autofrikë, që dominon në mjetet e informacionit publik të Kosovës, që kufizon mendimin vetëm në mbështetje të pozitës apo të opozitës, mendimin qe kritikon dobësitë negative të dy anëve te “medaljes”, është një tregues shumë brengosës që na bën të papranueshëm për “mëkëmbësit e lirisë”. Ky shembull i “vogël” tregon sesa larg lirisë e demokracisë jemi. Të mos flasim për “dikasteret” e tjera shumë më të rrezikuar, që po të shkruash, jo vetem që nuk do te jesh më në faqet e shtypit, por përmes kanaleve “partiake” do te spiunohesh e do të “pengohesh gjithkah”. Kjo frikë “arsyetohet” ose justifikohet me rrezikun e ekzistencës se këtyre gazetave. Por me arsyetime e justifikime te tilla “argumentuese” a do të mund te dalim mirë në “fizibilitetin” e kërkuar nga evropianët, në këtë rast në fushën “lirisë së shtypit” kur dihet që vite me radhë nga institucione të rëndësishme ndërkombëtare është tërhequr vërejtja?!.

Sigurisht që fizibiliteti do të duhej bërë ashtu e kështu edhe pa na kërkuar Evropa, në qofte se duam të zhvillohemi e të bëhemi shtet siq po brohorasim. Kjo do të ishte për të mirën tonë e jo siq mendojne disa që është per t'i “mashtruar” evropianët (sikur ata nuk paskan mundësi të jetojnë pa ne!).

Por si mund të bëhet ky fizibilitet kur koncepti yne i “potencialeve me të larta intelektuale në botë” kundërshton komisionin evropian që konstatoi tokën e Kosovës të kontaminuar, duke sharë me parullat: "poshtë Evropa se po rren"?! Në këtë rast nuk jam ekspert të mbështes këtë apo atë palë por duke e ditur që “mendja jonë e ndritur shkencore” as që kujtohet sa kanalizimi është shtuar pas luftës e se krejt ky kanalizim (me shampona, sodë të teshave e mbeturina të ndryshme) bie në lumë, prej të cilit ujiten shumica prodhimeve tona bujqësore dhe shkencëtarët tanë më të “mençurit e botës”, asnjëherë nuk reaguan kundër këtij veprimi qeveritar (i të gjitha qeverive, duke përfshirë edhe qeveritë kosovare të kohës së komunizmit) është në fakt vepër antiligjore. Për aq sa dij unë, asnjë ligj, as ligji i kohës së komunizmit, nuk lejon derdhjen e kanalizimeve në lumenj).

Si duket fizibiliteti duhet të filloje së pari në kokat tona, tek “politikanët” e “shkencëtarët tanë mendjendritur”.

Fizibiliteti është si me kqyr një tokë njëherë a rritet rrushi e pastaj me mbjellë dmth e shikon përbërjen, a e kap dielli sa duhet, a ka lagështi të mjaftueshme, a ka gure etj. etj.?! Me ata që mendojnë se janë kupola e politikës dhe e shkencës ndërkombëtare s’ka si të ketë fizibilitet të suksesshëm.

Me sjelljet tona, sidomos me sjelljet tona politike, duket sikur ia mbyllim derën vetes. Të akuzosh kojshinë pse ma ke mbyllë derën duke e thirur atë për të ta hapur, pa u kujtuar se nga jashte askush nuk ta hap, do të thote të tallesh jo me të tjerët por me veten, me mjerimin tënd. Askush nuk është i gatshëm të të pranojë në familjen e tij në këtë gjendje.

Pra, në qoftë se “fizibilitetin” nuk e fillojmë së pari nga vetvetja, kot që harxhojmë “energji” për të hyrë në BE, sepse druaj që fizibiliteti real nxjerr politiken tonë krejt jashtë parametrave të kritereve evropiane për pranim, ne qofte se nuk rrezikojme t'i japim mundësi të mendojnë që nuk jemi as për ndonjë bashkim me shtete afrikane.

Pavarësisht nga kjo, fizibiliteti real është i domosdoshëm sepse pa një “fillim” s’ka as “mbarim”, dmth hyrje reale në BE. Të shpresojmë se politikanët tanë, në radhë të parë, do ta kuptojnë se “fizibiliteti” është “njohje që shihet”.

 


Më të komentuarat